Lajme

Në Tiranë mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverive Kosovë-Shqipëri

Nesër në Tiranë mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Pjesë e diskutimit pritet të jetë edhe projekti hekurudhor Prishtinë-Durrës.

Sipas ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, ndërtimi i kësaj linje është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik  të të dyja vendeve. Ndryshe ky është takimi i gjashtë i përbashkët i dy qeverive që prej herës së parë që është mbajtur më 11 janar të vitit 2014 në Prizren.

Ambasadori i Kosovës për Shqipëri, Nait Hasani, lidhur me marrëveshjet e reja që pritet të nënshkruhen në takimin e nesërm të të dy qeverive,  Kosovës dhe  Shqipërisë,  ka thënë se  janë vazhdimësi e mbledhjeve  që mbahen për çdo vit. 

“Kështu që mbledhja e të premtes është vazhdimësi e mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo është një mbledhje e rëndësishme duke marrë parasysh rrethanat që po kalon vendi në kohë pandemie. Në kohen e pandemisë kemi pasur një izolim total mes Kosovës dhe Shqipërisë, që është ndoshta një nga dëmet më të mëdha që mund t’u ketë ndodhur qytetarëve në mes vete, prandaj,  në mesin e marrëveshjeve që do të nënshkruhen tani është edhe një marrëveshje për Covid-19 që do ta nënshkruajnë ministrat e shëndetësisë.”

Një nga marrëveshjet që është paralajmëruar se mund të nënshkruhet është linja hekurudhore Prizren-Durrës. Ndërtimi i kësaj linje është edhe pikë e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike Kosovë-Serbi, nënshkruar më 4 shtator në Uashington. Ambasadori Hasani tha se kjo linjë është e rëndësisë së veçantë për zhvillim të të dyja vendeve.

“ Transporti  i mallrave dhe shërbimeve është më i sigurt edhe për shkak të dëmtimeve të rrugëve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu që, porti i Durrësit i lidhur përmes hekurudhës në Prizren-Prishtinë dhe vende te tjera është i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës së pari por edhe për vendet e tjera.”

Që nga viti 2014, kur kanë filluar të mbahen mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, janë  nënshkruar një sërë marrëveshjesh ndërmjet dy vendeve. Por, ka ngecje të theksuara në zbatimin e tyre. Sipas ambasadorit Hasani, pengesat janë të dyanshme. 

” Ka pasur pengesa edhe burokratike nga të dyja anët. Unë mendoj se duhet të jenë me këmbëngulëse dhe prezentë edhe komisionet e kuvendeve parlamentare të cilët duhet të kërkojnë zbatueshmërinë e ligjeve dhe marrëveshjeve. Kështu që secila palë ka hezituar në këtë, ose për shkak të bizneseve, ose presioneve të ndryshme kanë hezituar të marrin përgjegjësi dhe të ecin më tutje”. 
Ambasadori Hasani i ka thënë Radio Kosovës se të dy vendet kanë mundësi të bashkëpunojnë në shumë fusha, sidomos në fushën e arsimit sepse siç thotë ai, janë plan programet e njëjta, kurrikula, njohja e diplomave e sistemi i njëjtë, por nevojitet guxim politik për të realizuar këto objektiva.  

Autor: Arbenita Marmullaku, Radio Kosova

Postime të ngjajshme
Lajme

Vuçiqit e Bërnabiqit s’ju pëlqeu fjalimi i Kamberit në Kuvend, por ky ka disa porosi për ta

Lajme

Zgjedhjet për kryetar komune në Podujevë: Si pritet të votojnë të prekurit nga Covid-19

Lajme

Ministria e Financave porosit dron 18 mijë euro, tregon se çka i duhet

Lajme

Anita bëhet romantike, publikon foto duke u puthur me Ramushin