Lajme

Mustafa ironizon me deklaratën e Osmanit për kthimin e mundshëm në LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka ironizuar me deklaratën e Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit u deklarua për një kthim të mundshëm në LDK nëse nga kjo parti do të largohej kryesia aktuale.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se dikujt mund t’i bie ndërmend të bëhet edhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar.

“Nuk e shoh të arsyeshme të komentoj, çfarë kujt i bie ndërmend të deklarojë. Mund t’i bie ndërmend dikujt nga ne të bëhet edhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar, në qoftë së tërhiqet Elizabeta”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, u.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tash e një kohë ka kundërshtuar lidershipin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e në veçanti kreun e kësaj partie, Isa Mustafa.

Osmani në një deklaratë të dhënë mbrëmë në debatin “Kallxo Pernime”, ka thënë se njerëzit e LDK-së që besojnë në vlera mund t’i bashkohen iniciativës së saj të re.

“Njerëzve të LDK-së që besojnë që vlera dhe potenciali i tyre nuk lejojnë që votat dhe besimi i tyre me u keqpërdor e kanë derën të hapur. Secili në LDK duhet ta ketë parasysh që a duam të jenë pjesë e një koncepti politik që e keqpërdor deri në masën më ekstreme besimin e votuesve. “Le të largohet kryesia e re e LDK-së, e le të vijnë të flasim për mundësinë e kthimit në LDK”, ka thënë ajo.

Ndryshe, LDK kishte shkarkuar Vjosa Osmanin nga pozita e nënkryetares dhe e kryesisë së këtij subjekti politik, në qershor të vitit të kaluar. Përplasjet kishin filluar pasi Osmani kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjithashtu, Osmani kishte kundërshtuar edhe formimin e Qeverisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në koalicion me AAK dhe Nismën Socialdemokrate.

Postime të ngjajshme
LajmeShow Bizz

Kush sipas Afrim Muçiqit po derdh “lot krokodili” për gurbetqarët?

Lajme

KEDS njofton për ndërprerje të rrymës elektrike në këto vende

Lajme

Zyrtari i LDK-së reagon pas publikimit të përgjimit ku Nagavci flet për Osmanin: Kuku çka i boni vetit

Lajme

Pse t’mos dalim edhe të bukur në fotot për 14 Shkurtin: Kurti, Vitia, Konjufca