Ekonomi

MTI pas raportit ‘Doing Business 2020’: Kosova vazhdon me procesin e reformave për përmirësimin e mjedisit afarist

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë të ditur se raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020”, konfirmon progresin gradual dhe të qëndrueshëm të Kosovës drejt krijimit të një klime të favorshme për biznes dhe tërheqje të investimeve në vendin tonë.

Sipas MTI-së, progres i veçantë është shënuar fushën e mbrojtjes së investitorëve të vegjël, trajtimi i lejeve të ndërtimit, sigurimi i energjisë elektrike dhe zbatim i kontratave për shkak të aprovimit të ligjit të ri për ndërmjetësim.

MTI thotë se progresi në këto fusha ka bërë që Kosova të njihet nga Banka Botërore si njëra nga 20 shtetet më të reformuara në raport.

“Megjithëse, në raportin për vitin 2020, Kosova ka shënuar një rënie në rangim në pozitën 57-të (nga pozita 44 sa ishte në vitin 2019), dallimi në rangim mes këtyre dy viteve nuk është plotësisht i krahasueshëm për shkak të ndryshimeve metodologjike dhe ndryshimit të të dhënave, që është bërë në mënyrë retroaktive nga Banka Botërore për disa vite. Progresi i bërë nga Kosova është evident nga analizimi i të dhënave nga raporti që tregojnë se Kosova ka shënuar një përmirësim prej plus (+) 2.2 për qind në lehtësinë e të bërit biznes dhe ka pasur progres në 7 indikatorë nga 10 sa janë gjithsej. Sa i përket dy indikatorëve që mbikëqyren drejtpërdrejtë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, indikatorët Fillimi i një Biznesi dhe Mbrojtja e Investitorëve të Vegjël, në rastin e Fillimit të një Biznesi ka pasur përmirësim për 0.2 për qind, ndërsa për Mbrojtjen e Investitorëve të Vegjël ka pasur përmirësim për 8 për qind”, thuhet në reagimin e MTI-së, përcjell Telegrafi.

Këtë vit, Kosova radhitet në pozitën e 57-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 44-të ku ka qenë vitin e kaluar.

Çdo vit, raporti “Doing Business” në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për ndërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës. /Telegrafi/

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
EkonomiLajme

Ministria e Financave shpreh qëndrimin e saj për buxhetin e vitit 2020

Ekonomi

ATK e mbush buxhetin e shtetit me rreth 500 milionë euro

Ekonomi

Numri i aplikimeve për azil në Gjermani bie për 14 për qind

Ekonomi

Shtetet e Bashkuara kufizojnë eksportet e pajisjeve të inteligjencës artificiale