Lajme

Milioner e borxhlinj, kjo është pasuria e kryetarëve të komunave

Në dy raunde të zgjedhjeve, qytetarët e vendit kanë votuar për kryetarin e ri të komunës së tyre, që do t’i udhëheq për katër vitet e ardhshme. Në disa komuna janë rizgjedhur kryetarët aktualë, e në të tjera janë bërë ndryshime. Express ka bërë një përmbledhje për pasurinë e kryetarëve të qyteteve më të mëdha. Ka milioner, por ka edhe borxhlinj.

PËRPARIM RAMA

Në krye të Prishtinës, për katër vitet e ardhshme, do të jetë një milioner.

Kryetari i sapozgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ka prona nëpër botë në vlerë mbi 11 milonë funta, e që në euro i bie mbi 13 milionë.

Prej tyre ka thënë se mbi 6 milionë funte (7 milionë euro), janë borxhe.

“I kam 15 kompani ku jam aksionar, struktura e biznesit është asisoji, në Londër për shembull kompania krijohet si entitet për të bërë një investim, mund ta blesh një shtëpi, e bënë planin, ndërton, zgjeron e më pas e shet në emër të asaj kompanie ku investimet ndahen dhe taksat paguhen. Vlera e pronave që kam nëpër botë është mbi 11 milionë funta, prej tyre janë 6 milionë janë borxhe”, ka thënë Rama në Kallxo.com.

BEDRI HAMZA

Një milioner në krye të Mitrovicës e ka pasur edhe Mitrovica deri tash. Por, në zgjedhjet e 17 tetorit, ata zgjodhën për kryetar një politikan që ka më shumë borxhe sesa para të gatshme. Është ky Bedri Hamza i PDK’së, i cili ka mbajtur pozita të rëndësishme viteve të fundit.

Sipas regjistrit për deklarimin e pasurisë, Hamza ka pasuri të paluajtshme në vlerë 263 mijë euro. Në emër të tij ka deklaruar dy banesa, njëra kushton 46 mijë euro e tjetra 70 mijë, si dhe garazhën në vlerë 8 mijë euro.

Te kjo kategori ai ka listuar edhe banesën e bashkëshortes në vlerë 39 mijë euro dhe një tokë punë në vlerë 100 mijë euro, që thotë se është në pronësi të përbashkët.

Tek pasuritë e luajtshme, Hamza ka deklaruar veturën e tij 27 mijë euroshe dhe atë të bashkëshortes në vlerë 10 mijë euro.

Vlera e parave të gatshme që ka në banka familja Hamza sillet rreth 10 mijë e 200 euro, prej të cilave 8 mijë e 500 janë vetëm të Hamzës.

Por, kjo familje ka edhe borxhe. Vetëm Hamza ka detyrime financiare në vlerë 27 mijë euro, derisa gruaja e tij ka borxh në vlerë 25 mijë euro.

Si të hyra vjetore, ai ka deklaruar rreth 35 mijë euro, që thotë se i merr nga Kuvendi dhe një kolegj privat. Kurse bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore mbi 7 mijë euro.

Në fund të deklarimit, Hamza ka treguar edhe se ka tërhequr nga Trusti rreth 10 mijë euro.

FADIL NURA

Ndryshimë në udhëheqësinë e komunës kanë bërë edhe qytetarët e Skënderajt. Pa balotazh, zgjedhjet në këtë komunë i fitoi Fadil Nura i PDK’së.

Nura ka deklaruar në pronësi të tij një tokë të trashëguar në vlerë 21 mijë euro dhe banesën në pronësi të përbashkët, që thotë se kushton 52 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme ka deklaruar dy vetura. Një Golf V në vlerë 8 mijë euro dhe një Mercedes në vlerë 11 mijë e 700 euro.

Si para të gatshmë në banka, ka thënë se ka 350 euro, në pronësi të përbashkët.

Vetë ai s’ka borxhe, por gruaja e tij ka një kredi në vlerë 10 mijë euro, që thotë ta ketë marr për blerjen e banesës.

Të hyra vjetore i ka deklaruar 18 mijë euro, derisa bashkëshortja e tij ka deklaruar si të hyra gati 6 mijë euro.

ALBAN HYSENI

Kryetar të ri zgjodhën edhe qytetarët e Gjilanit. Katër vitet e ardhshme të qeverisjes së komunës ata ia besuan Alban Hysenit të Vetëvvendosjes.

Sipas regjistrit të publikuar nga AKK’ja, pasuria e paluajtshme e Hysenit me familje sillet rreth gjysmë milioni euro. Tek kjo kategori ai ka deklaruar shtëpi, toka e vikendicë. Në emër të tij ka thënë se e ka vetëm një tokë në vlerë 3 mijë e 500 euro.

Kryetari i ri i Gjilanit ka thënë se e ka një veturë që kushton 2 mijë e 200 euro, si dhe ka deklaruar një veturë në pronësi të përbashkët në vlerë 8 mijë e 500 euro.

Para të gatshme në banka thotë se s’ka, derisa vlera e detyrimeve financiare që ka sillet rreth 7 mijë e 500 euro.

Të hyrat vjetore të tij janë afër 22 mijë euro, kurse të babait sillen rreth 29 mijë euro.

ILIR FERATI

Istogasit zgjodhën sërish që t’i udhëheq Lidhja Demokratike e Kosovës, por me një kandidat të ri. Prej tash e tutje, në krye të Istogut do të jetë Ilir Ferati, shkruan Express.

Ferati ka një banesë në vlerë 100 mijë euro, një shtëpi në vlerë 30 mijë euro, si dhe një shtëpi tjetër në pronësi të përbashkët 200 mijë euroshe.

Para të gatshme s’ka, por si familje kanë borxhe në vlerë 45 mijë euro.

Si të hyra vjetore ka deklaruar rreth 23 mijë euro si pagë nga Kuvendi dhe rreth 600 të tjera nga Trusti, kurse si të hyra të prindit ka deklaruar rreth 7 mijë euro.

AGIM ALIU

E për dallim prej këtyre komunave që ndryshuan udhëheqësinë, në disa të tjera, qytetarë ua besuan edhe nga një mandat kryetarëve aktual.

Agim Aliu është zgjedhur edhe për një mandat në krye të Ferizajt.

Vlera e pasurisë së tij të paluajtshme është 375 mijë euro, ku hyjnë një shtëpi banimi, dy troje, një tokë bujqësore dhe mali.

Aliu ka një veturë që thotë se kushton 4 mijë e 500 euro, kurse bashkëshortja një në vlerë 1 mijë e 500 euro.

Nëpër banka ka para “cash” në vlerë mbi 57 mijë euro, derisa gruaja ka 3 mijë e 200. Borxh s’ka asnjë cent.

Rreth 16 mijë euro janë të hyrat vjetore të tij, derisa të gruas rreth 5 mijë.

ARDIAN GJINI

Edhe Ardian Gjinit i është besuar edhe një mandate si kryetar i Gjakovës. Tek pasuritë e paluajtshme, Gjini ka deklaruar pasuri në vlerë 420 mijë euro, por në pronësi të përbashkët.

Gjini ka thënë se i ka edhe dy vetura. Njëra kushton 16 mijë euro, e tjetra 2 mijë euro.

Nëpër banka, i ka mbi 15 mijë euro para të gatshme. Por, po aq sillen edhe detyrimet e tij financiare.

Të ardhura vjetore ka në vlerë afër 15 mijë euro, kurse bashkëshortja e tij merr afër 10 mijë euro në vit.

SHPEJTIM BULLIQI

Komuna e Podujevës do të vazhdojë të udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi.

Pasuria e paluajtshme e tij sillet rreth 111 mijë euro. Në emër të tij ka deklaruar një shtëpi 25 mijë euroshe, banesa është në pronësi të bashkëshortes, kurse toka në pronësi të përbashkët.

Tek pasuritë e luajtshme ka deklaruar dy vetura në vlerë 23 mijë euro.

Si para të gatshme në banka thotë se kanë rreth 57 mijë euro, kurse si borxhe ka deklaruar 4 mijë euro.

Si të hyra vjetore ka deklaruar se e merr pagën në vlerë 1 mijë e 600 euro, si dhe honorar nga UP’ja në vlerë 600 euro.

Bashkëshortja e tij merr si pagë 380 euro nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare. /Gazeta Express

Related posts
Lajme

Përparim Rama ia ofron Arben Vitisë postin e Drejtorit të Shëndetësisë

Lajme

Kjo është bomba 907 kg që u gjet sonte në Merdare

Lajme

Grushte, shqelma e kapje për flokë: Bëhen “llom” mes vete dy femra në Fushë Kosovë

Lajme

Kjo është gruaja më e kërkuar në Evropë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *