Ekonomi

Miliarderi dhuron miliona dollarë për bizneset e dëmtuara nga protestat në Hong Kong

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Njeriu më i pasur i Hong Kongut, Li Ka-shing po dhuron plot 128 milionë dollarë në ndihmë të bizneseve të dëmtuara nga protestat pro-demokracisë që prej muajsh kanë përfshirë qytetin.

Miliarderi 91-vjeçar është shprehur se shpreson që dhurimi të shërbejë si ndihmë për firmat e vogla dhe të mesme, që po përballen me periudha të vështira. Deklarata është bërë e ditur sot nga fondacioni i tij bamirës.

“Ekonomia botërore po ngadalësohet dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ekonomia e Hong Kongut po përballet me sfida të pakthyeshme, ndaj ne shpresojmë që kjo të ndihmojë bizneset në nevojë”, thuhet në deklaratë.

Dhurimi i Ka-shing vjen në vazhdim të masave të shpallura kohët e fundit nga qeveria vendase, e cila është shprehur e gatshme të investojë 255 milionë dollarë për të mbështetur ndërmarrjet e vogla në Hong Kong. Në total, qeveria po hedh edhe më shumë miliarda në ekonomi, si një përpjekje për të shmangur recesionin, pasi kriza politike ka goditur biznesin, veçanërisht atë të pakicës dhe sektorin e shërbimeve. Ekonomia po vuan gjithashtu nga ngadalësimi i Kinës prej luftës tregtare, përcjell Telegrafi.

Detaje të mëtejshme se si do të përdoren paratë e fondacionit pritet të bëhen të ditura më vonë pas diskutimeve me qeverinë, por Li dhe manjatët e tjerë të pasurive të patundshme pavarësisht ndihmës, po përballen me presion në rritje nga Kina, pikërisht për shkak të protestave.

Organizatat dhe mediet shtetërore i kanë fajësuar ata për rritjen e çmimeve të shtëpive.

“Çmimet e larta të shtëpive janë shkaku i sëmundjes së trazirave sociale në Hong Kong”, shkroi agjencia e lajmeve Xinhua në pronësi të shtetit, në një koment muajin e kaluar. Xinhua gjithashtu iu bëri thirrje ndërmarrësve të pasurive të patundshme që të ofrojë strehim më të përballueshëm, si një mënyrë për të qetësuar zemërimin e publikut.

Edhe media të tjera shtetërore kanë qenë në të njëjtën linjë.

“Është koha që zhvilluesit e Hong Kongut të tregojnë dëshirën e tyre maksimale. Kjo është mënyra e vetme për të qenë përgjegjës për të ardhmen e Hong Kongut dhe për t’i dhënë të rinjve një rrugëdalje”, ka shkruar Daily Daily, gazeta zyrtare e Partisë Komuniste në pushtet, në një deklaratë, duke përfshirë këtu një frazë që Li e kishte përdorur më herët gjatë një fjalimi në fillim të shtatorit, përcjell Telegrafi.

Li në atë kohë kishte theksuar se shpresonte që “ata që ishin në pushtet të mund t’u japin të rinjve një rrugëdalje nga trazirat politike”.

Një tjetër burim, New World Development, ka thënë gjithashtu së fundi se do të dhurojë deri në tre milionë metra katrorë nga rezervat e tokës së saj për banesa publike.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
EkonomiLajme

Ministria e Financave shpreh qëndrimin e saj për buxhetin e vitit 2020

Ekonomi

ATK e mbush buxhetin e shtetit me rreth 500 milionë euro

Ekonomi

Numri i aplikimeve për azil në Gjermani bie për 14 për qind

Ekonomi

Shtetet e Bashkuara kufizojnë eksportet e pajisjeve të inteligjencës artificiale