Lajme

Mësoni koalicionet paszgjedhore në Vushtrri, Kaçanik, Junik, Gjilan, Skënderaj, Gjakovë,…

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë certifikimin e rezultateve përfundimtare të të dyja raundeve për Kryetarë të Komunave. Certifikimi nuk ka ndodhur për komunën e Dragashit, ngase po pritet edhe përgjigjja nga Gjykata Supreme pas ankesës së LDK-së lidhur me vendimin e PZAP-së për anulimin e votave të diasporës.

E kryetarët e zgjedhur dhe asamblistët, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, mund të marrin mandatin 15 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, e kjo bëhet me thirrjen e mbledhjes inauguruese.

Por, disa kryetarë të porsazgjedhur nuk e kanë shumicën e kuvendit komunal dhe për këtë ata duhet që të bashkëpunojnë me partitë tjera politike.

Kryetari i zgjedhur i Vushtrrisë: Do të bashkëqeverisim me partitë që ishim në koalicion

Kryetari i zgjedhur i Komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së, Ferit Idrizi, në një përgjigje për FrontOnline, tha se bashkëpunimi për ta bërë shumicën do ta vazhdojë me partitë me të cilat ishte në koalicion gjatë balotazhit.

“Po, do të vazhdoj me bashkëqeverisje me partitë politike që kemi bërë koalicion në balotazh, por ende nuk i kam nda drejtoritë. Brenda kësaj jave definohet çdo gjë”, tha Idrizi për FrontOnline.

Idrizi i cili në balotazh arriti të fitoj kundër kandidatit të LDK-së, Xhafer Tahirin, ishte në koalicion me Nismën për Kosovën, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partinë Demokratike Turke të Kosovës.

Besim Ilazi: Nuk bëjmë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje

Besim Ilazi, i cili edhe për një mandat do të jetë në krye të komunës së Kaçanikut, tha se janë të hapur për koalicion me të gjitha partitë e tjera politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me përjashtim të VV-së që nuk do të bëjmë koalicion, për partitë tjera nuk e përjashtojmë mundësinë e koalicionit me ta”, tha ai për Front Online.

Ilazi tha se për çështjen e koalicionit sot do të ketë takim me kryesinë e degës.

“Sot kemi takim, Kryesia e degës dhe do ta shqyrtojmë çështjen e koalicionit, akoma nuk kemi vendosur asgjë”, tha ai.

Ruzhdi Shehu: Me Vetëvendosjen do të qeverisim në Junik

Komuna e Junikut, për katër vjet do të udhëhiqet nga Ruzhdi Shehu i LDK-së i cili në balotazh e mposhti Agron Kuçin e AAK-së.

Por Shehu, nuk arriti që të marrë vota të mjaftueshme për Kuvend Komunal. E për të bërë shumicën, ai ka arritur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne kemi marrëveshje me qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje qendra në Junik. Koalicioni është i kryer dhe me LVV-në do të vazhdojmë me bashkëqeverisje”, tha ai për Front Online.

Fadil Nura: Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet lokale arriti që t’i kthej disa komuna, përfshirë edhe Komunën e Skenderajt, ku kandidati i kësaj partie Fadil Nura fitoi kundër kryetarit aktual Bekim Jashari, i cili po synonte edhe një mandat.

E për ta bërë shumicën në këtë komunë, Nura për FrontOnline, tha se ende nuk kanë arritur marrëveshje me partitë politike.

“Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet që janë në Kuvend. Koalicion ende nuk kemi me askënd, ende nuk jemi në bisedime me asnjë parti politike”, tha ai për Front Online.

Shaqir Totaj: Do të bisedojmë me LDK-në për të arritur marrëveshje

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka arritu në këto zgjedhje ta rikthej qeverisjen në Komunën e Prizrenit.

Kryetari i zgjedhur, Shaqir Totaj, në balotazh kishte përkrahje edhe nga disa parti politike me të cilat do të vazhdojë marrëveshjen edhe për të bashkë qeverisur.

Por, përveç këtyre, Totaj për FrontOnline, tha se presin që të bisedojnë edhe me LDK-në.

“Kemi me vazhduar me partitë qe kemi pas koalicion, për drejtori akoma nuk kemi vendos, me LDK-në presim te bisedojmë”, tha ai.

Alban Hyseni ende nuk ka vendosur se me kënd do të qeverisë në Gjilan

Komuna e Gjilanit pas disa vjetëve do ta ketë një kryetar të ri.

Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje në balotazh arriti që t’a mposht Lutfi Hazirin e LDK-së i cili për shumë vjet udhëhoqi këtë komunë.

Por Lëvizja Vetëvendosje, doli partia e dytë me asambleistë në këtë komunë dhe për t’a bërë shumicën, Hyseni duhet që të bashkëpunoj me partitë tjera politike.

I kontaktuar nga Front Online, Hyseni tha se deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje.

“Deri me tani ende nuk kemi as takime e rrjedhimisht as edhe marrëveshje për qeverisje”, tha ai për Front Online.

A ka bërë marrëveshje për ta bërë shumicën në Kuvend Komunal? Flet Ardian Gjini

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka bërë certifikimin e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

E pas këtij certifikimi, kryetarët mund ta marrin mandatin 15 ditë pas certifikimi.

Por kryetari aktual i Gjakovës i cili në zgjedhjet e fundit e mposhti kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilen, ende nuk ka arritur marrëveshje me partitë politike për të qeverisur në Gjakovë.

Ai shkurt për FrontOnline, tha se ende nuk ka marrëveshje me asnjë parti politike.

“ Jo ende”, tha shkurt Gjini.

Kryetari i zgjedhur i Hanit të Elezit: Kemi ofruar bashkëpunim për të gjitha partitë

Komuna e Hanit të Elezit, pas disa vjetëve do të udhëhiqet nga një parti politike, PDK-ja.

Kandidati i kësaj partie, Mehmet Ballazi, arriti që të fitoj kundër kandidatit të pavarur, Rufki Suma.

Ballazhi për Front Online, tha se u ka ofruar bashkëpunim të gjitha partive politike për të bashkë qeverisur dhe se në qeverisjen e tij do ta përfshijë edhe Shoqërinë Civile.

“Rreth bashkëqeverisjes kam ofruar bashkëpunim me të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë qytetarët për mirëqenien e tyre, të na bashkëngjiten në bashkëqeverisje. Kështu që në ekipin tim do të përfshihen nga LDK, Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Shoqëria Civile”, tha ai për Front Online.

Ballazhi tha se është kujdesur që 50% e ekzekutivit të jenë të gjinisë femërore.

“Ajo qe i kam kushtuar kujdes është se do të jenë 50% gjinia femërore të përfshira ne ekzekutiv”, tha ai për Front Online.

Related posts
Lajme

Sallahu tregon pse nuk u takua me Hashim Thaçin e Kadri Veselin gjatë vizitës në Hagë

Lajme

A do të lehtësohen masat për festat e fundvitit?

LajmeShow Bizz

Pak orë pasi doli nga spitali, Adriana Matoshi bën një koment në rrjetet sociale

Lajme

Parashikimi i motit për këtë të mërkurë dhe të enjte, temperaturat zbresin nën zero

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *