Sport

Mesatarja e tifozëve nëpër stadiumet e klubeve të Superligës – futbolli në Shqipëri më i ndjekur se në Kosovë

Me gjithë investimet e mëdha, futbolli në Kosovë gradualisht po vazhdon të marrë jehonën e duhur nga tifozët nëpër tribunat e stadiumeve, raporton FrontOnline.

Ndonëse jo me kushte të mira infrastrukturore, stadiumet në Kosovë vazhdojnë të jenë të frekuentuara, derisa vërehet se nga vitet e kaluara, shifrat janë më të larta.

Drejtuesit e klubeve të Superligës së Kosovës po vazhdojnë me investime të mëdha, sidomos me prurjet e futbollistëve jashtë vendit.

Kjo padyshim se ka shtuar cilësinë e futbollit kosovar, i cili është bërë më atraktiv për t’u përcjellur ndeshje pas ndeshje në tribuna.

Natyrisht, edhe gara për titull ka qenë e “nxehtë” në vitet e fundit, ku pothuajse deri në fund për epitetin e kampionit kanë garuar tre apo katër skuadra.

FrontOnline nga burime të afërta me klubet elitare në Kosovë ka nxjerrë shifrat mesatare të tifozëve të skuadrave nëpër stadiume.

Klubi më i madh në vend, Prishtina, e cila i zhvillon ndeshjet në stadiumin “Fadil Vokrri” del të jetë më e “pasura” me tifozë nëpër stadiume me një mesatare prej 1500 deri në 2000 për ndeshje.

Ndërkaq, vlen të përmendet se gazeta e ka pasur të pamundur kontaktin me zyrtarët e klubeve si Ballkani dhe Malisheva.

Prishtina “kampion”, Llapi i penalizuar për shkak të punimeve në “Zahir Pajaziti”

Duke qenë se i zhvillon ndeshjet në një stadium modern si “Fadil Vokrri”, Prishtina e mban epitetin e skuadrës më të përcjellur këtë edicion nga tifozët në ndeshjet si vendas. FrontOnline merr vesh se në ndeshjet e Prishtinës në stadium varion një mesatare prej 1500 deri në 2000 tifozë.

Në këtë aspekt, mirë qëndron edhe klubi nga Lipjani, Ulpiana, që ka një mesatare prej 600 deri në 800 tifozë për ndeshjet si vendas në stadiumin e rinovuar “Sami Kelmendi”.

Klubet e mëdha gjilanase si Drita dhe Gjilani duke qenë se ende nuk kanë një stadium adekuat, mbledhin mjaftueshëm tifozë. Sipas burimeve të gazetës, Drita ka një mesatare tifozësh prej 540 për ndeshje, kurse Gjilani 500.

Dukagjini që ndeshjet i zhvillon në “18 qershori” në Klinë, mbledh një mesatare prej 350 tifozësh për ndeshje, derisa Feronikeli ka një mesatare prej 500 sosh.

Llapi që ndeshjet si vendas i ka zhvilluar në Mërdare për shkak të punimeve në “Zahir Pajaziti”, mbledh një mesatare prej 200 tifozësh këtë edicion, derisa në “Zahir Pajaziti” në edicionin e kaluar ka pasur një mesatare prej dy mijë tifozësh.

Për fund, Drenica nga Skënderaj arrin të mbledh një mesatare prej 500 tifozësh në “Bajram Aliu” për ndeshjet e Superligës këtë edicion si vendas.

Mesatarja e tifozëve e skuadrave të Superligës nëpër stadiume:

Ballkani –
Gjilani – 500 tifozë
Drita – 540 tifozë
Drenica – 500 tifozë
Llapi – 200 tifozë
Prishtina – 1500-2000 tifozë
Ulpiana – 600-800 tifozë
Dukagjini – 350 tifozë
Malisheva –
Feronikeli – 500 tifozë.

Dajaku: Nuk ka numër maksimal të tifozëve sepse gara është dëmtuar

Futbollisti i mirënjohur kosovar, Taulant Dajaku e ka shtjelluar çështjen në fjalë duke thënë se kjo tregon nivelin e organizimit nëpër klubet kosovare.

Ai thotë se klubet duhet të bëjnë organizime më të thella.

“Mendoj se kjo është një temë delikate, por që tregon nivelin e organizimit te klubet sepse në fund të fundit loja luhet për gjithëpërfshirje të publikut dhe krijimin e asaj që quhet kulturë sportive, por fakti se numri ende s’është në kapacitetet maksimale atëherë duhet parë në këndvështrim tjetër”, ka thënë Dajaku për FrontOnline, duke vazhduar:

“Klubet duhet të bëjnë organizime edhe më të thella që do të sjellin atë që duhet brendim dhe në këtë mënyrë ndërtohet një konkurrencë vlerash mes klubeve. Fakti që ende nuk ka kapacitete maksimale është sepse gara është e dëmtuar edhe në cilësi, por edhe në besueshmëri”.

Ai tregon edhe një shembull si si një ndeshje futbolli në Kosovë mund të arrijë deri në 14 mijë tifozë.

“Kur klubet të jenë të brenduara siç duhet, atëherë një ndeshje Prishtina – Drita që mund të luhet në mbrëmje nga ora 20:30, mund të mbledh deri në 14 mijë tifozë në stadium. Derisa kjo gjë të mos arrihet, atëherë nuk jemi në lartësinë e duhur”, përfundoi të enjten Taulant Dajaku, ish-futbollist i Prishtinës dhe Ferizajt.

Futbolli në Shqipëri më i ndjekur se në Kosovë

Tashmë janë publikuar edhe shifat e tifozëve të klubeve të Kategorisë Superiore nëpër stadiume këtë edicion.

Klubi i madh kryeqytetas, Tirana arrin që ta ketë një mesatare prej shtatë mijë tifozësh si vendas.

Vendin e dytë e zë Vllaznia e Shkodrës me 4330 tifozë, e ndjekur nga Partizani me 1200 tifozë.

Mesatarja e tifozeve këtë edicion edicion deri me tani në Superiore:

Tirana – 7000 tifozë
Vllaznia – 4330 tifozë
Partizani – 1200 tifozë
Skenderbeu – 1170 tifozë
Dinamo – 1050 tifozë
Teuta – 800 tifozë
Kukesi – 650 tifozë
Egantia – 640 tifozë
KF Laçi – 450 tifozë
Kastrioti – 400 tifozë.

Postime të ngjajshme
Sport

17 futbollistë rezultojnë pozitiv me Covid, skuadra portugeze futet në fushë me nëntë lojtarë

Sport

Mbyllet pa gola pjesa e parë mes Villarreal dhe Barcelonës, por Depay humbet një shans të artë

Sport

Formacionet zyrtare: Villarreal - Barcelona

Sport

Vushtrria kampion vjeshtor në prag të 100 vjetorit të klubit, ja si e festuan fitoren e sotme