Lajme

Mbledhja e sotme e Qeverisë, këto janë krejt vendimet që u morën

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin ka mbajtur sot mbledhjen e 44’të, ku janë marrë disa vendime, raporton Express.

Gjatë kësaj mbledhje, Qeveria ka shfuqizuar vendimin për emërimin e Shpend Trdevaj në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

“Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shfuqizim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shfuqizim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për emërimin e z. Shpend Trdevaj në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Sigurisë së Kosovës, me qëllim të kthimit të ligjshmërisë. Sipas vendimit për shfuqizim procesi i rekrutimit dhe emërimit të z. Shpend Trdevaj është bërë në pajtim me legjislacionin e shfuqizuar për Shërbimin Civil, në kohën kur në fuqi ishte Ligji për Zyrtarët Publikë, i cili shprehimisht ndalon veprim të tillë”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

Më poshtë gjeni të gjitha projektligjet e miratuara në këtë mbledhje dhe vendimet që janë marrë:

Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2016 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ky Amendament i Marrëveshjes e siguron vazhdimin e afatit për zbatimin e projekteve për mbështetjen financiare në shumën prej 45 milionë eurove që siguron Marrëveshja financiare IPA 2016.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim për Programin e menaxhimit të integruar të burimeve ujore në Kosovë. Në total kontributi i Qeverisë Zvicerane për këtë program pritet të jetë rreth 20 milionë franga zvicerane.

Projektligji për bujqësi dhe zhvillim rural, i cili ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për parimet e përgjithshme që kanë të bëjnë me politikat kombëtare për bujqësinë dhe zhvillimin rural; objektivat dhe masat e politikave bujqësore; planifikimin e zhvillimit bujqësor dhe rural; zbatimin dhe përfituesit e masave të politikave bujqësore, masat për bujqësi të integruar, prodhimin organik, standardet e cilësisë dhe marketingut si dhe skemat e cilësisë për produktet bujqësore dhe produktet ushqimore, bazat e të dhënave dhe regjistrat, monitorimin dhe raportimin në bujqësi, mbështetjen institucionale në bujqësi, kontrolli administrativ, masat e menaxhimit të rrezikut në bujqësi dhe restaurimit të potencialit të prodhimit bujqësor, partneritetin social dhe ekonomik në fushën e bujqësisë dhe inspektimin në terren të zbatimit të politikave bujqësore, në nivel sa më të avancuar si në aspektin profesional ashtu edhe praktik, sa më të përafërt dhe në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së dhe standardeve të njohura ndërkombëtare.

Projektligji për pijet e forta alkoolike i cili përcakton rregullat për përshkrimin, prezantimin dhe etiketimin e pijeve të forta alkoolike, si dhe mbrojtjen e treguesve gjeografikë të pijeve të forta alkoolike; alkoolit etilik dhe distilimet e përdorura në prodhimin e pijeve alkoolike; dhe përdorimin e emrave ligjorë të pijeve të forta alkoolike në prezantimin dhe etiketimin e produkteve ushqimore që nuk janë pije të forta.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturinat, që ka për qëllim përcaktimin e rregullave për menaxhimin e mbeturinave dhe masat për të mbrojtur mjedisin dhe shëndetin e njeriut për të promovuar riciklimin, parandalimin ose zvogëlimin e gjenerimit dhe ndikimin e pafavorshëm të mbeturinave, zvogëlimin e ndikimeve dhe përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të burimeve dhe përmirësimit të efikasitetit të përdorimit, të cilat janë thelbësore për kalimin në një ekonomi qarkore dhe për garantimin e konkurrencës.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka aprovuar Koncept Dokumentin për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Koncept dokumenti rekomandon themelimin e mekanizmit me anë të një ligji të veçantë.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar. Memorandumi i bashkëpunimit rekomandon themelimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit shumë sektorial Shqipëri – Kosovë.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve. Nevoja e zëvendësimit të anëtarëve të këtij Këshilli është për shkak se disa nga të emëruarit në këtë këshill nuk janë më pjesë e institucioneve.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete në vlerë prej 20 mijë e 721 eurove për të përmbushur obligimin për vitin 2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Qendrën e Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjat, si anëtare e kësaj nisme.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shfuqizim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për emërimin e z. Shpend Trdevaj në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Sigurisë së Kosovës, me qëllim të kthimit të ligjshmërisë. Sipas vendimit për shfuqizim procesi i rekrutimit dhe emërimit të z. Shpend Trdevaj është bërë në pajtim me legjislacionin e shfuqizuar për Shërbimin Civil, në kohën kur në fuqi ishte Ligji për Zyrtarët Publikë, i cili shprehimisht ndalon veprim të tillë.

Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marrë edhe vendimi për pagesën shtesë prej 10 për qind, por jo më pak se 60 euro, për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik, për muajt nëntor dhe dhjetor 2021. Për këtë qëllim janë ndarë 1 milion e 800 mijë euro.

Është miratuar edhe vendimi për aprovimin e metodës së pagesës direkte (UN Advance) në formë të avansit të UNOPS, në llogari të Ministrisë së Shëndetësisë, nga ndarjet buxhetore aktuale, në vlerë prej 5,433,497.37 euro me qëllim të blerjes së produkteve mjekësore.

Me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 2.5 milionë për blerjen e barnave nga lista esenciale për nevojat e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës. Me mjetet që sot ka ndarë Qeveria e Republikës së Kosovës, shuma e përgjithshme e ndarë gjatë këtij viti për këtë qëllim është mbi 30 milionë euro.

Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi ka shprehur shqetësimin e saj për procesin e rekrutimit të personelit në shërbimin shëndetësor ku pjesëtarët nga komunitetet pakicë, në mjediset shumetnike, nuk janë përzgjedhur. Zëvendëskryeministrja ka theksuar në mënyrë të veçantë Spitalin e Prizrenit, ku asnjë pjesëtar nga komunitetet pakicë nuk është përzgjedhur në këto konkurse. Kryeministri ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së Ministres së Shëndetësisë që të shqyrtojë procedurat e këtyre konkurseve dhe të marrë masa të zbatimit të ligjshmërisë.

Related posts
Lajme

Ky është parashikimi i motit për nesër

Lajme

Çfarë moti do të mbajë nesër në Kosovë?

Lajme

Koci tregon përse kërkoi shtetrrethim për Rrafshin e Dukagjinit pas ngjarjes tragjike në Gllogjan

Lajme

Rastet e reja me COVID-19, janë nga këto komuna

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *