Sport

Maqedonia e Veriut – Kosova, statistikat që duhet t’i dini

Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të përballen për herë të parë në një ndeshje garuese, sonte kur të takohen në Shkup për të luftuar për një vend në një finale për kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020.

Kosova është mysafire e shtetit fqinj në Arenën Kombëtare Todor Proeski, në një ndeshje gjysmëfinale të play-off’it për pjesëmarrje në Euro 2020, që zhvillohet në orën 20:45.

Gazeta Express ju sjell disa prej gjërave më të rëndësishme që duhet t’i dini para këtij takimi.

Kjo është përballja e parë mes dy shteteve fqinje.

Fituesi i këtij takimi përballet me fituesin e takimit Bjellorusi – Gjeorgji në finalen e nëntorit për një vend në fazën grupore në Euro vitin e ardhshëm.

Kosova është në kërkim të pjesëmarrjen së parë në një kampionat evropian, vetëm katër vjet pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Maqedonia, në anën tjetër, ka 30 vjet që e pret këtë mundësi për ta shijuar pjesëmarrjen e parë në këtë garë.

Forma e tanishme

Kosova e ka përjetuar rënie drastike në formë, duke i humbur katër nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, përfshirë ndeshjen e fundit muajin e kaluar kundër Greqisë në Ligën e Kombeve në Prishtinë.

Fitorja e fundit e dardanëve ishte para një viti, më 14 tetor me rezultat 2:0 kundër Malit të Zi në kualifikimet e rregullta për evropian në Prishtinë.

Futbollistët e Kosovës e kaluan pothuajse tërë vitin 2020 pa luajtur për shkak të pandemisë dhe i zhvilluan dy ndeshjet në shtator, barazimin 1:1 me Moldavinë dhe humbja 2:1 me Greqinë në Ligën e Kombeve.

As në këto ndeshje Bernard Challandes nuk qe në gjendje ta formojë një ekip të plotë për të dy takimet, shkaku i pandemisë dhe lëndimeve.

Maqedonia e Veriut është në formë më të mirë kohëve të fundit, pasi i ka tri fitore, një barazim dhe dy humbje në gjashtë ndeshjet e fundit.

Maqedonasit e mposhtën 2:1 Armeninë dhe barazuan 1:1 me Gjeorgjinë në ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve.

Ekipet

Kosova do të përballet me mungesa tejet të mëdha, në cdo repart të fushës, si dhe pa dy kapitenët e parë.

Në përgjithësi, trajneri Bernard Challandes nuk do të mundë të llogarisë në shtatë futbollistë, portierin Ujkani dhe qendërmbrojtësin Rrahmani, mesfushorët Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Idriz Voca, si dhe sulmuesit Vedat Muriqi dhe Milot Rashica.

Maqedonia e Veriut nuk përballet me kokëçarje të njëjtë, megjithatë.

Trajneri Igor Angelovski nuk do t’i ketë në dispozicion vetëm dy futbollist, portierin Martin Bogatinov dhe yllin e Napolit, Elif Elmas.

Formacionet e mundshme:

Maqedonia e Veriut: Dimitrievski; Ristovski, Musliu, Velkovski, Alioski; Ademi, Spirovski; Trajovski, Bardhi, Hasani; Pandev

Kosova: Aro Muric, Mërgim Vojvoda, Fidal Aliti, Ibrahim Dresevic, Florent Hadergjonaj, Valon Berisha, Herolind Shala, Arbër Zeneli, Bersant Celina, Benjamin Kololli dhe Atdhe Nuhiu.

Arenën Kombëtare Todor Proeski

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Shkupit Todor Proeski, i cili u ndërtua më 1947, por i rinovua më 2011 dhe i ka 36.400 ulëse.

Megjithatë, ndeshja do të zhvillohet pa praninë e tifozëve në tribuna për shkak të pandemisë.

Stadiumi do të jetë i pajisur me teknologjinë VAR – video asistenti i referimit – e cila do të përdorët për rastet e kontestuara.

Kjo do të jetë hera e parë që do të ketë VAR në një ndeshje të Kosovës.

Renditja në FIFA

Maqedonia e Veriut renditet e 66-ta, ndërsa Kosova e 116-ta.

Postime të ngjajshme
Sport

EKSKLUZIVE: Trepça ’89 transferon sulmuesin e Gjilanit

Sport

Rikthehet mbrojtësi shqiptar, gati për debutim në Serie A

Sport

Formacionet zyrtare: Celtic – Milan

Sport

Prince: Kosova është vend i bukur me njerëz të sjellshëm, nuk kam frikë nga përballja me Dakun