.
Lajme

“Ma ke shkatërru jetën, kom me t’vra”, pacienti kërcënon mjekun

Kërcënimet ndaj personave zyrtarë dhe profesionistëve shëndetësorë, është një fenomen në rritje në vendin tonë, shkruan Gazeta Sinjali.

Vetëm në muajt e fundit janë raportuar raste të ndryshme të cilat po trajtohen nga institucionet e drejtësisë, ndërkohë që denoncimet për raste aktuale vazhdojnë pothuajse çdo ditë.

Një kërcënim serioz për jetën u denoncua sot në Polici, e më pas u përcoll në Prokurori, edhe nga mjeku i fshatit Hoçë e Madhe të komunës së Rahovecit, i cili, në shtëpinë e tij ishte kërcënuar nga një pacient që ishte trajtuar për një kohë nga ai.

Sinjali mëson se pacienti kishte shkuar rreth orës 08:30 te shtëpia e mjekut të fshatit për t’iu ankuar atij për trajtimin që kishte marrë dhe terapinë që kishte përdorur, duke e fajësuar se ai me këtë ia kishte shkatërruar jetën.

Për këtë ‘të keqe’ që e kishte shkaktuar mjeku sipas tij, ai e kërcënoi edhe me vrasje, veprim ky që përveç se krijoi shqetësim të madh dhe pasiguri, e detyroi mjekun e fshatit që rastin ta denoncojë menjëherë në Polici.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se pacienti i dyshuar për kanosjen serioze të mjekut të fshatit është shoqëruar në stacionin policor në Rahovec, ku është përballur me dyshimin e bazuar për kanosje të mjekut të fshatit.

Pas intervistimit dhe udhëzimeve të marra nga prokurori i shtetit, rasti është iniciuar në Polici si “Kanosje”, ndërkaq ndaj personit të dyshuarit është urdhëruar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Pas kompletimit të veprimeve hetimore dhe dorëzimit të kallëzimit penal, çështja do t’i referohet gjykatës për të vendosur lidhur me masën eventuale për sigurimin e pranisë së pandehurit në procedurë dhe parandalimin që ai të kryejë vepër të njëjtë apo të ngjashme në të ardhmen.

/GazetaSinjali/

Related posts
Lajme

Blero këndon në dasmën e Arbër Zenelit, shpërthejnë të qeshurat

Lajme

Burri i kërkon ndihmë gruas: Hajde rrahim vëllain tim

Lajme

“Kam me pagu dikë me ta heq kokën”/ 75-vjeçari kërcënon fqinjin e tij në prezencë të Policisë në Prishtinë

Lajme

Tensione në mbledhjen e LDK-së në Podujevë, kërset dajaku