Sport

Lushtaku godet rëndë Drenicën

Tahir Lushtaku i cili kishte drejtuar Drenicën për shumë vjet ka deklaruar se klubi po punon në mënyrë krejt tjetër prej kohës kur ai ishte trajner.

“Nëse flasim për skuadrën e Drenicës kur unë isha trajner, tash që e drejton Devolli ka ndryshime të mëdha sa që mbetet të shihet sa është pozitive.

Kur kam qenë unë, transferime kemi bërë shumë pak dhe kryesisht jemi orientuar në futbollistë vendor dhe me disa përforcime nga jashtë pasi buxheti i klubit ka qenë i kufizuar”, ka thënë Tahir Lushtaku për “Zeri.info”, duke vazhduar:

“Me ato fonde të futbollistëve dhe atë buxhet të vogël, Drenica ka bërë futbollin më të bukur dhe nuk ka qenë e rrezikuar prej rënies nga elita dhe çdo herë kemi shkuar në gjysmëfinale, por tash me këto ndryshime, nuk e di se si do të komponohet skuadra për një kohë të shkurtër dhe jam skeptik në këtë aspekt”.

Sipas tij, pozita e dobët e Drenicës në tabelë ka ardhur si pasojë e menaxhimit të dobët të klubit.

“Krejt kjo është bërë për arsye të menaxhimit “të mirë” të klubit nga kryesia dhe disa njerëzve tjerë. Besoj që veç dihet kush pyetet apo kush ju qëndron mbrapa këtyre njerëzve. Ndoshta ata mendojnë se kjo është mënyra se si duhet menaxhuar klubi, por e kanë shumë gabim. Pse e them këtë? Është bërë gabim i madh dhe synim të vetëm e kanë mbijetesën sepse nuk mbahet mend që Drenica t’i humbasë pesë ndeshje nga gjashtë të fundit ku ka arritur ta marrë vetëm një pikë”, tregoi trajneri drenicas.

Tutje, ai thotë se njerëzit që punojnë me Devollin janë pa kurrfarë licencash.

“Kjo është ajo kur drejton një klub dhe nuk ke ide. Aty janë njerëz amatorë dhe disa trajnerë që punojnë me Devollin janë pa kurrfarë licencash. Trajnerët me licenca i kanë larguar prandaj ky klub ka nevojë për njerëz të sportit dhe profesionist e jo për profitera dhe servila për interesa”, përfundoi Tahir Lushtaku.

Ndryshe, Drenica e mbylli stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në vendin e parafundit me 19 pikë të tubuara pas 18 ndeshjeve.

Postime të ngjajshme
Sport

Nesër takimi i 30-të mes Prishtinës dhe Llapit: Forma momentale e skuadrave dhe rezultatet nga 29-të ndeshjet e kaluara

Sport

Hoxha rrëfen tmerrin me policin rus: Më nxori nga shtëpia dhe gjuajti dy herë me armë

Sport

Batatina flet për sfidën ndaj Prishtinës

Sport

Presidenti i Prishtinës takohet me atë të Dritës dhe pyet se kush do të del kampion?!