Lajme

Lumir Abdixhiku me fjalë të mëdha për Imri Ahmetin

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbrëmë qëndroi në qytetin e Lipjanit ku u prit nga kryetari Imri Ahmeti dhe qytetarët.

Abdixhiku ka thurur lavde të mëdha për Ahmetin, duke thënë se Imriu, përveçse është një kryetar shembull, është edhe mik i jashtëzakonshëm. E njoh si një burrë të urtë e të mençur, si një njeri energjik, si një mik i fjalës e si një vizionar i pashoq.

“Je shembull për ne. Sot, na bën faqebardhë të gjithëve. Sot, ti përfaqëson virtytet e njeriut në të cilin beson LDK-ja. Të faleminderit për çfarë je. Prandaj, rri si i tillë, na prijë. Bëje Lipjanin edhe me të mirë. Na bëj neve më të mire”, ka shkruar Abdixhiku, shkruan Reporteri.net.

Postimi i kreut të LDK-së:

Mbrëmë isha në “Shtigjet e Ecjes”, projekt i fundit i realizuar në qytetin e gjallërisë, qytetin e jetës, qytetin e zhvillimit – në Lipjanin e transformuar tashmë.

Lipjani i burrave e grave të ndershëm e të zot, të të rinjve e të rejave që ëndërrojnë e shkëlqejnë gjithandej ku veprojnë, i bujqëve të vyeshëm, afaristëve të ndershëm, punëtorëve të palodhshëm – qyteti i Kryetarit Kampion – qyteti antik – Ulpiana e dikurshme e Lipjani i sotshëm është shndërruar në një qytet shembull për secilin në Kosovë.

Gjithë ky ndryshim mbanë si falënderim punën e palodhshme të burrave e grave këtu, por mbi të gjitha, mbanë vulën e udhëheqjes së kryetarit tuajit e tonit, mikut tim e t’juajit, mbanë vulën e Imri Ahmetit. Për shkak të punës së tij, Lipjani sot është shembull për Kosovë!

Juristi 57 vjeçar, i diplomuar në Universitetin e Prishtinës, baba i përkushtuar i Veronës, Vyrtytes e Qëndrimit, bashkëshort i Ibadetes, deputet i Parlamentit të Republikës, ish-këshilltar i Presidentit, zëvendësministër, mësimdhënës i lëndëve juridike në shkollën e mesme “Ulpiana” – kryetar Komune i dy mandateve në Lipjan, Kampioni i juaji, Kampioni i joni, Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhet të vazhdojë transformimin e qytetit më të bukur në Kosovë.

Ai ka punë ende për të bërë këtu; dhe unë jam i lumtur që në mbledhjen e fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me unanimitet të plotë kemi aprovuar kërkesën e Degës së LDK-së këtu për ta kandiduar atë edhe për një mandat në krye të Lipjanit.

Imriu, përveçse është një kryetar shembull, është edhe mik i jashtëzakonshëm. E njoh si një burrë të urtë e të mençur, si një njeri energjik, si një mik i fjalës e si një vizionar i pashoq. Imriu, di të zgjedh të mirën para të ligës, të duhurën para të gabuarës, të drejtën para të mbrapshtës. Imriu s’i frikësohet sfidave; por mbi të gjitha Imriu ëndërron. Dhe është kjo ëndërr e tij që bën shtigje rrugëtimi si ky sonte këtu, e shtigje të reja politike drejt së cilave ne ia kemi mësyer bashkërisht. Unë, ai, ju, e të gjithë!

I dashuri Imri,

Je shembull për ne. Sot, na bën faqebardhë të gjithëve. Sot, ti përfaqëson virtytet e njeriut në të cilin beson LDK-ja. Të faleminderit për çfarë je. Prandaj, rri si i tillë, na prijë. Bëje Lipjanin edhe me të mirë. Na bëj neve më të mirë.

Postime të ngjajshme
Lajme

Zjarr në Suharekë: Kryetari kërkon ndihmë

Lajme

Zjarr i madh në fshatin Studençan të Suharekës

Lajme

Humb jeten një pushues në plazhin e Shëngjinit

Lajme

Këto janë rastet e reja me Covid-19 në Kosovë