Sport

Lojëra interesante dhe emocione të mëdha dhurojnë fëmijët në garat e “Play-Off-it Nacional”

Tash e disa ditë në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali, në organizim të FFK-së, është duke u zhvilluar “Play-off-i Nacional”, ku po garojnë kampionët dhe nënkampionët e Lidhjeve Rajonale të Futbollit për grupmoshat 13-vjeç, 15-vjeç dhe 17-vjeç, e ku do të përcaktohen kampionët e këtyre kategorive në nivel vendi.

Në këtë turne kanë marrë pjesë 17 ekipe U13, 17 ekipe U15 dhe 16 ekipe U17. Në kategorinë U17 në kuadër të këtij turneu tashmë janë përcaktuar edhe dy skuadrat që edicionin e ardhshëm do të garojnë në Superligën Nacionale U17, janë këto Besa dhe A&N, të cilat janë kualifikuar në finale të “play-off”-it, derisa skuadra e tretë, e cila do ta sigurojë pjesëmarrjen në Superligën U17, do të mësohet nga dueli Ballkani-Gjilani, që zhvillohet të enjten.

Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar ndeshje mjaft interesante dhe emocionuese, ku ekipet pjesëmarrëse përkundër temperaturave të larta kanë paraqitur lojëra cilësore. Në grupmoshën 13-vjeç, në gjysmëfinale u kualifikuan 2 Korriku, Roni19 dhe Feronikeli. Skuadra e 2 Korrikut në gjysmëfinale e mundi Ardhmërinë, me rezultat 2:0, derisa Roni19 arriti ta eliminojë skuadrën pejane Olti, pas gjuajtjes së penalltive, 5:4, ngase ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll 1:1.

Feronikeli kaloi tutje me short dhe të enjten në gjysmëfinale do të ballafaqohet me 2 Korrikun, teksa Roni19 kaloi në finale me short. Në grupmoshën 15-vjeç në çerekfinale Arsenali e mundi Kurdën, me rezultat 2:1, derisa 2 Korriku fitoi ndaj Prishtinës, 1:0.

Kësisoj, në duelin e vetëm gjysmëfinal të enjten do të ballafaqohen 2 Korriku – Gjakova, teksa Arsenali kaloi në finale me short. Ndeshje me rivalitet të madh dhe emocione të shumta u zhvilluan edhe tek grupmosha 17-vjeç. Besa arriti ta mposhtë Ballkanin, me rezultat 6:4. Edhe pse pejanët fillimisht krijuan epërsi prej 4 golash, portokallezinjtë e rinj nga Suhareka arritën ta ngushtojnë epërsinë deri në 5:4, por në fund nuk e kishin forcën dhe as kohën në dispozicion për ta përmbysur rezultatin.

E mjaft interesante ishte edhe ndeshja ndërmjet A&N dhe Gjilanit, e cila u mbyll me fitoren e skuadrës prizrenase, 2:1. Të parët në epërsi kaluan gjilanasit, por më pas prizrenasit arritën t’i përmbysin shifrat, duke e siguruar kalimin në finale të këtij “play-off”-i, por njëherësh edhe pjesëmarrjen në Superligën U17 për edicionin e ardhshëm.

Kësisoj, në finalen të U17 do të luajnë Besa-A&N, kurse Ballkani dhe Gjilani, të enjten do të luajnë ndeshjen e cila do të vendosë se cila prej këtyre dy skuadrave do ta inkuadrohet në Superligën U17. /Demokracia.com

Postime të ngjajshme
Sport

Legjenda e Man Cityt, Kompany me fjalë të mëdha për Laçin para ndeshjes

Sport

Ernest Muçi realizon gol spektakolar në Ligën e Kampionëve ndaj Dinamo Zagrebit

Sport

Zyrtare: Ky është përforcimi i radhës nga Vëllaznimi

Sport

Reali tregon çmimin për Iscon