
Të dielën do të zhvillohet derbi i javës së 17-të në kampionatin elitar anglez, Premierligë mes Chelseas dhe Manchester Cityt, shkruan “Zeri.info”.
Kjo ndeshje që do të luhet në “Stamford Bridge” është në qendër të vëmendjes për shkak të rasteve me koronavirus te Manchester City.
Gabriel Jesus dhe Kyle Walker janë dy lojtarët e Cityt që kanë rezultuar pozitivë ditë më parë.
Derisa edhe te “Blutë” e Londrës kanë rezultuar dy anëtarë të stafit me virusin famëkeq.
Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri i Chelseas, Frank Lampard i cili ka shtuar se ndeshja do të luhet.
“Unë jam i vetëdijshëm për situatën me Man City. Për momentin, ndeshja është paraparë të vazhdojë. Manchester City ka pasur probleme në kampin e tyre të stërvitjes, ne kemi pasur një dy persona, por jo stafin e lojës”, ka thënë Lampard.
Ndryshe, Chelsea para kësaj ndeshje zë vendin e pestë në tabelë me 26 pikë, derisa City është e teta me pikë të njëjta.