
Ndasitë në LDK u bënë publike mbrëmjen e së martës.
Së pari ishte Agim Veliu, i cili nëpërmjet një statusi kundërshtoj ashpër ofertën e re të Vetëvendosjes, e cila rriste për dy ministri qeverinë, ku njëren nga to do ta merrte LDK, shkruan gazeta inFokus.
Këtu Veliu edhe akuzoi rëndë partinë e Albin Kurtit, duke vështirësuar arritjen e marrëveshjes për të cilën me muaj të tërë po dialogohet.
Por, as dy orë pas postimit të vonshëm të Veliut reagoi nënkryetarja tjetër Vjosa Osmani, e cila mbronte një koalicion me Kurtin, e kundërshtonte akuzat e Veliut.
Kështu, të mërkurën, shefi i këtyre të dyve në parti, Isa Mustafa, shkoi në zyret qendrore të partisë, për të folur mbi këto përplasje por edhe për ofertën e Vetëvendosjes, shkruan gazeta inFokus.
Takimi brenda është i mbyllur, mirëpo gazeta inFokus përmes burimeve të saj mëson se brenda, nga anëtarët e LDK-së ka tensione të mëdha.
Këta janë të ndarë në dy grupe, ku njëri nga ta e kundërshton me të madhe koalicionin e mundshëm me Vetëvendosjen, e që thonë se kjo as nuk bën të diskutohet nëse nuk i jepet kryeparlamentari.
Ndërsa grupi tjetër i cili e përkrah qëndrimin e Vjosa Osmanit kundërshtojnë pretendimet e të parit që është pro deklaratave të Veliut.
Në fakt, ndasi kishte edhe më parë, në zgjedhjet e brendshme të LDK-së, e që në disa raste shpërtheu edhe me dhunë në disa pika anë e kënd Kosovës, shkruan gazeta inFokus.
Mirëpo, këto kishin arritur të tejkalohen, e ku u rishpall kryetar Isa Mustafa, mirëpo si duket ato ishin veç të përkohshme, e që shpërthyen prapë tash tre muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare./Gazeta inFokus/