Lajme

Kurti tregon se si do të bëhet konfiskimi i pasurisë së paligjshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, shkruan Gazeta Metro.

Kurti thotë se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme asnjëherë nuk është private e as e ligjshme, sepse ajo kurrë nuk është fituar.

Ai derisa ka folur për draft-dokumentin ka thënë se qeverisja në krye me të do t’i jap fund epokës së deritanishme ku dominonte “Rroga e Vogël, fitimi i madh”.

“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër por qytetarët tanë janë të ndershëm e të përgjegjshëm dhe duan një shtet të drejtë dhe të barabartë. Shteti juaj me qeverisjen tonë e tuajën duhet t’i jap fund e do t’i jap fund epokës së deritanishme ku dominonte parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!”. Askush nga ne nuk mund të shpenzojë pasurinë që nuk e fiton. Në jetën e përditshme ne skuqemi kur na bie zori që të kërkojmë diçka hua, dhe bëjmë gjithçka që të jetojmë brenda mundësive tona, nga rroga dhe puna jonë e ndershme. Por, ju e dini se për shumë kohë, ata që kishin duart në buxhetin e shtetit nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet por përvetësuan pasuri që nuk e justifikojnë dot. Kjo nuk është e drejtë dhe as e ndershme, prandaj edhe duhet të veprojmë që të krijojmë një shtet ku secili merr fitimin që meriton dhe paguan detyrimin që i takon. Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as e ligjshme sepse ajo kurrë nuk është fituar. Qeveria do të veprojë në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë”, ka shkruar Kurti në “facebook”, duke publikuar dhe një video.

Postimi i plotë:

Qytetarë të dashur,

Dje, në mbledhjen e gjashtë të qeverisë kemi miratuar një dokument tejet të rëndësishëm në luftimin e kriminalitetit në vend.
Ka vite e dekada që kemi theksuar e jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë është i lartë dhe i koncentruar te zyrtarë të lartë të qeverisë dhe jo vetëm, se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave, zhvatjes e plaçkitjes e shpërdorimit dhe ikjes nga drejtësia.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit ne kemi premtuar se do ta luftojmë korrupsionin dhe krimin dhe do ta konfiskojmë pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme.
Dje kemi filluar pikërisht këtë. Koncept dokumenti që kaluam është hapi i parë drejt ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme, prandaj edhe dua të ju informoj për përmbajtjen e tij, duke filluar nga përkufizimi i pasurisë së paligjshme.

Në kuptimin e ngushtë, pasuria e paligjshme është çdo pasuri që është fituar në rrugë joligjore, por në një përkufizim më të gjerë, pasuri e paligjshme është çdo pasuri e cila nuk arsyetohet. Shembull i tillë është kur pasuria që një person posedon nuk përkon me nivelin e të ardhurave të ligjshme mujore dhe veprimeve tjera të ligjshme.
Në Kosovë, për më shumë se dy dekada, në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria, herë në mungesë të ligjeve e më shumë në mungesë të zbatimit të tyre. Zbrazëtira ligjore dhe jo efikasiteti i organeve të drejtësisë ka krijuar hapësirë për rritje të kriminalitetit dhe një kulturë të pandëshkueshmërisë ku ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit e kanë keqpërdorur atë për të përfituar personalisht. Rrjedhimisht shumë zyrtarë të lartë, e të tjerë të mesëm të lidhur me ta, kanë krijuar pasuri marramendëse duke keqpërdorur taksat e qytetarëve.

Deri tani, konfiskimi i pasurisë së paligjshme është rregulluar përmes tre shtyllave: Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Korniza ligjore e tanishme parasheh ekzistimin e aktgjykimit dënues si element të domosdoshëm për t’i hapur rrugë konfiskimit të pasurisë. Një praktikë e tillë është konsideruar e padobishme dhe joefikase. Vetëm në gjashtë vitet e fundit sekuestrimet kapin vlerën e 180 milionë Euro, ndërsa konfiskimet vetëm 3.5 milionë Euro. Kurse edhe pas kalimit të më shumë se një viti prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, ekziston vetëm një rast i identifikuar i zbatimit të tij në praktikë. Vetëm NJË rast.

Ajo që kemi parë është hezitimi i organeve të rendit për të ndjekur pasurinë e paligjshme, aktakuza jo mirë të përgatitura dhe një zvarritje e gjatë e proceseve gjyqësore që ka bërë që shumë lëndë të parashkruhen dhe si rrjedhojë edhe të humbet mundësia për konfiskim.
Me pak fjalë, ajo që kemi deri tash është një kod penal që nuk mjafton, ligje që nuk adresojnë dhe strategji që nuk kanë dhënë rezultat.
Arsyetime kemi dëgjuar mjaftueshëm. Shumëkush është ankuar në shumëçka. Policia në prokurorë, prokurorët në gjykatës, gjykatësit në prokurorë, e politikanët që kanë zhvatur, në fund, ja kanë lënë fajin drejtësisë. Andaj, tash është koha që këto ankesa t’i heqim sepse do t’i heqim pengesat për konfiskim të pasurisë së paligjshme, përmes një ligji të ri.

Postime të ngjajshme
Lajme

Kompania që transportoi kokainën dhe pronarët e saj

Lajme

A është çmimi arsyeja që Kosova ende nuk ka blerë asnjë vaksinë?

Lajme

Ndodhë në Kosovë: Vetura për pak sa nuk i shtyp publikun që shikonin garat

Lajme

Këta janë të arrestuarit në aksionin e sotëm ku u kapën 400 kg kokainë