Lajme

Kurti: Reciprociteti ndaj Serbisë, politikë shumë më e drejtë se tarifa

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se reciprociteti ndaj Serbisë do të ishte politikë shumë më e qëlluar dhe më e drejtë se sa tarifa 100 për qind, pasi që sipas tij e njëjta do të mirëkuptohej edhe nga faktorët ndërkombëtar. Në intervistën me korrespondentin tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, zoti Kurti tha se Këshilli i partisë do të vendosë për kandidimin e tij si kryeministër ndërsa bën thirrje për krijimin e një koalicioni parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e që sipas tij do të ishte koalicion fitues i zgjedhjeve.​

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, Kosova ndodhet para një procesi të ri zgjedhor, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Si e shihni ju situatën aktuale politike?

Albin Kurti: Besoj që tash qytetarët janë shumë më entuziast sepse vendimi për politikën po del prej një qeverie të pakicës dhe po kthehet tek qytetari i Republikës që janë edhe burim i sovranitetit e do të duhej që përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike edhe t’ua rifreskojnë legjitimitetin institucioneve por njëkohësisht t’i zgjedhin njerëzit shumë më të mirë, shumë më të ndershëm, shumë më të guximshëm dhe njerëzit të cilët interesat e veçanta nuk i kanë primare por gjithsesi atë të përgjithshëm.

Zëri i Amerikës: Si e keni parë qeverinë Haradinaj, për gati dy vite sa ishte në pushtet?

Albin Kurti: Së pari ata e formuan qeverinë duke ju falënderuar disa deputetëve që nga koalicioni në atë kohë LAA (Lidhja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca Kosova e Re) i LDK-së dolën dhe ndërruan anën ndërkaq më pastaj e mirëmbajtjen vetën duke ju falënderuar disa deputetëve tjerë të cilët nga lëvizja Vetëvendosje dolën, pra ka qenë një lloj qeverisje artificiale e cila e ka pasur një kryeministër që kishte dyfish më shumë parti në koalicion se sa deputetë të partisë së tij në Kuvend dhe që do të mbahet mend për nepotizmin, shpërdorimin, do të mbahet mend për numrin e madh të zëvendës ministrave, për rritjen e pagës vetvetes dhe kështu me radhë. Pas 29 shtatorit të vitit të kaluar, pas asaj proteste masive kishte një pozicionim të drejtë kundër aventurës së presidentit për shkëmbim territorial mirëpo kjo ishte tepër pak dhe tepër vonë. Sidoqoftë është mirë që po shkon kjo qeveri përfundimisht, gjatë e ka çuar dhe kemi nevojë për një qeverisje të re që do të jetë stabile dhe do ta përfundoj mandatin. Legjislatura e katërt e kishte qeverinë mezi tri vjeçare, legjislatura e pestë as dy vjet e gjysmë ndërsa kjo legjislaturë e gjashtë e kishte qeverinë me më pak se dy vjet, kemi nevojë për një qeverisje stabile me katër vjet e cila i jep prioritet zhvillimit ekonomik, investimeve kapitale të përqendruara në punësim, luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe sidomos cilësisë së arsimit dhe lidhjes së arsimit me ekonomi.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë thirrje për krijimin e një koalicioni parazgjedhor që do të krijonte qeverinë e re të vendit pas zgjedhjeve. Me kënd preferoni këtë koalicion por edhe kënd e përjashtoni?

Albin Kurti: Bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, lëvizja Vetëvendosje i ka bashkërenduar hapat në opozitë për gjatë gati afër këto dy viteve dhe ne jemi ndarë të kënaqur nga ky bashkëpunim. Ka pasur sinqeritet, ka pasur seriozitet mirëpo bashkërendimi i hapave është i rëndësishëm që të kaloj në fazën e një plani të përbashkët dhe ne besojmë që formimi i një koalicioni parazgjedhor do të bënte që zgjedhjet e radhës të cilat do të jenë ose në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit të jenë festë e demokracisë, meqenëse një koalicioni të tillë nuk do të kishte kush t’i dal përpara por edhe shumë votues mbase edhe janë zhgënjyer me institucionet në përgjithësi për të mos thënë edhe me politikën do të ri zgjoheshin në mënyrë që ta kthejnë Kosovën në binarët e zhvillimit e të drejtësisë, prandaj ne themi hapur që jemi të interesuar për një koalicion të tillë sepse ishim opozita e vërtetë e cila duhet të shndërrohet në qeverisje të mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, ju gjatë kësaj jave patët një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Për çka diskutuat, a ishte temë edhe koalicioni parazgjedhor?

Albin Kurti: Ne kemi shprehur vullnetin e mirë dhe gjithashtu kemi shprehur optimizmin që kemi. Unë nuk kam rezultate shumë konkrete në këtë proces që do të mund të bëja një njoftim publik për to, kur t’i kemi ato rezultate natyrisht që nuk do të hezitojmë që menjëherë të njoftojmë opinionin publik por besoj që ka më shumë arsye për të shpresuar që përfundimisht po i vjen fundi kapjes së shtetit meqenëse thellësia e krizës në Kosovë nuk matet ma me korrupsionin në institucione por me institucionet në korrupsion, pra është një nivel i ri i degradimit të shtet ndërtimit në Kosovë dhe shtangimit socio-ekonomik. Kemi nevojë për investime në ekonomi, kemi nevojë për punësim pa diskriminim, kemi nevojë për hov në integrime evropiane, kemi nevojë për qeverisje e cila e zvogëlon qeverinë dhe e rritë shtetin e jo sikurse ishte deri më sot. Pra ky dakordim tematik e problemor me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa tashmë të rizgjedhur, gjithashtu edhe ideja që kemi nevojë për një qeverisje e cila është efikase dhe e cila nuk ekziston për vetveten, kundërshtimit që ja kemi bërë të dy ne buxhetit të vitit 2019 dhe humnera ku e kanë hedhur Kosovën besoj që problem të cilat i kemi le të themi nga e kaluara dhe dallimet që i kemi ekzistuese në të tashmen i minimizon karshi vullnetit për të ardhmen, me ç ‘rast idealet do t’i mirëmbajmë sepse interesi i përgjithshëm do të jetë mbi çfarëdo interesi të veçantë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti dallimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës a qëndrojnë tek pozita e kryeministrit dhe a do të jeni kandidat për kryeministër?

Albin Kurti: Sa i përket lëvizjes Vetëvendosje këtë e vendos Këshilli i Përgjithshëm, shumë shpejt do të mund ta bëj këtë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i ketë le të themi diskutimet e brendshme për këto çështje, por ne jemi dakorduar që njëherë të kemi një lloj harmonizimi programor i cili i paraprinë çfarëdo përgjegjësie me emra të veçantë. Nëse duam ta luftojnë krimin dhe korrupsionin, nëse duam që të marr fund kapja e shtetit atëherë unë besoj që shumë gjëra do të jenë më të kollajshme për t’i zgjidhur dhe dakorduar.

Zëri i Amerikës: A do të bënit koalicion parazgjedhor, në qoftë se do të duhej të hiqni dorë nga kandidimi për postin e kryeministrit?

Albin Kurti: Po them, këtë nuk e vendos unë si kryetar i lëvizjes, as si Albini aktivist por këtë do ta diskutojmë në Këshill të Përgjithshëm veç se po them edhe njëherë varet se çka duam. Po e deshëm entuziazmin e qytetarëve për fitore masive që është e domosdoshme atëherë unë besoj që shumë kollaj do të mund ta zgjidhim këtë dilemë nëse e ka ndokush.

Zëri i Amerikës: A jeni të gatshëm të shkoni vet si lëvizje në zgjedhje, pra pa koalicione parazgjedhore?

Albin Kurti: Pa dyshim, unë besoj që lëvizja Vetëvendosje do të fitoj sepse Kosova duhet të ndryshoj por e pranoj, a do të fitojmë me koalicion parazgjedhor apo pas zgjedhjeve, kjo një mend është çështje.

Zëri i Amerikës: Cilën preferoni ju më shumë?

Albin Kurti: Unë preferoj që të fitojmë me koalicion parazgjedhor sepse në momentin që bëhet koalicioni lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës atëherë fushata bëhet e qetë, afirmative, pozitive, do të ketë shumë më pak polemika se sa kur garojmë ndaras sepse po garuam të gjithë ndaras fushata bëhet më e egër dhe në anën tjetër të gjithë ata që do t’i humbin zgjedhjet do ta dinë këtë para zgjedhjeve, me fjalë tjera nuk do të ketë njerëz që hidhërohen pas zgjedhjeve, po garuam veçmas do të mund të mendojnë se fitojnë, do t’iu nevojiten zgjedhjet të kuptojnë se kanë humbur e mandej do të mund të hidhërohen edhe të mbajnë inat mirëpo koalicioni LDK-Vetëvendosje është ai i cili i përcakton edhe fituesit edhe humbësit paraprakisht dhe na jep energjinë edhe kohen e mjaftueshme më se të mjaftueshme që të përqendrohemi tek qeverisja e ardhshme e mirë e nuk do të kemi kohë për të humbur, meqenëse tepër shumë na kanë humbur këta në këto më pak se dy vite që keq qeverisën.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
Lajme

Vuçiq s’arrin ta fus ushtrinë në Kosovë, për 30 sekonda bombardohet Beogradi

Lajme

Nuk jam ateist, Valon Syla tregon se në çka beson

Lajme

E pazakontë: Majmuni shijon rrezet e diellit në ballkonin e një banese në Prishtinë

Lajme

‘Eskalon’ deputeti i VV-së, me akuza ndaj Kryeziut: Po mërzitesh që s’po fiton Radoiçiqi, shyqyr që po iu bien maskat