Sport

Kur pritet të emërohet trajneri i ri i Kosovës?

Federata e Futbollit e Kosovës mund ta emërojë trajnerin e ri të ekipit kombëtar në ditët në vijim,pasi e shkarkoi trajnerin e deritanishëm Bernard Challandes, ka thënë presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Kosova është në kërkim të një trajneri të ri tani pasi i ndau rrugët me Challandesin të martën në një konferencë për media.

I pyetur se kur do të emërohet trajneri i ri, Ademi theksoi: “Në ditët në vazhdim do të ketë risi për trajnerin e ri”.

Shefi i futbollit kosovar nuk ka dashur të japë hollësi rreth asaj se kush do të jetë trajneri i ri, por besohet se ka kohë që federata është në kërkim të një trajneri të ri.

Trajneri zviceran kishte marrëveshje me Kosovën deri në dhjetor 2022, por epokës së tij në krye të kombëtares dardane i erdhi fundi një vit më herët, pas një fushate tejet dëshpëruese në kualifikime për Kupën e Botës 2022.

Në 28 ndeshje zyrtare me Kosovën, Challandes i arriti 9 fitore, 7 barazime dhe 12 humbje

Kosova i ka humbur pesë prej shtatë ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022, duke e arritur vetëm një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e tjera.

Jo vetëm që i humbi shanset për kualifikim qysh herët, por Kosova tani rrezikon ta mbyllë grupin në vendin e fundit, ku edhe gjendet, kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në mbylljen e fushatës kualifikuese për Katar.

70-vjeçri ishte emëruar trajner i Kosovës në mars të vitit 2018 nga ish-presidenti i ndjerë i FFK-së dhe legjenda e futbollit shqiptar Fadil Vokrri.

Challandes ishte trajneri i dytë në historinë e ekipit kombëtar të Kosovës, pas Albert Bunjakit, që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016.

Postime të ngjajshme
Sport

Prishtina 1-2 Llapi, golat dhe rastet nga ndeshja e zhvilluar sot në ''Fadil Vokrri''

Sport

Golashënuesit më të mirë pas fazës së parë në Superligë

Sport

Broja bën heroin, sulmuesi shqiptar ia siguron fitoren e parë Southamptonit

Sport

Faza e dytë starton në mesjavë, vëmendja në Gjilan!