Sport

Kosova do të organizojë kamp dhe miqësore në qershor

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll dështoi të kualifikohet në Kampionatin Evropian, që nis më 11 qershor dhe përfundon më 11 korrik të këtij viti. Por, Kosova, muajin qershor do ta shfrytëzojë për një kamp stërvitor, përfshirë edhe zhvillimin e një ndeshjeje miqësore pak ditë para se të nisë Evropiani, që është dashur të mbahej verën e vitit të kaluar, por për shkak të pandemisë së koronavirusit është shtyrë për verën e këtij viti. Datat e lira për përgatitje të përfaqësueseve pjesëmarrëse në “Euro 2020” dhe ndeshje miqësore janë nga 31 maji deri më 8 qershor.

“Dardanët” planifikojnë që grumbullimin ta organizojnë në shtetin e Austrisë, ndërsa janë në kërkim të një kundërshtari, ka mësuar të enjten KOHA nga burimet e saj brenda Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Por, në FFK kanë edhe planin B, që në rast se nuk mund të organizohen në Austri, atëherë grumbullimin dhe miqësoren do ta zhvillojnë në Prishtinë.

“Në qershor kemi planifikuar të organizojmë një kamp, ku do ta shfrytëzojmë edhe për një ndeshje miqësore. Jemi duke punuar që ta gjejmë kundërshtarin, kurse si ndeshjen e po ashtu edhe kampin planifikojmë ta mbajmë në Austri. Por, nëse nuk është e mundur, atëherë kampi dhe miqësorja do të zhvillohen në Prishtinë. Kemi kapacitet edhe në Kosovë, por synimi është që ta mbajmë jashtë vendit tonë, pra si opsion e kemi Austrinë. Do ta definojmë brenda pak ditësh”, ka thënë një zyrtar i FFK-së në kushte anonimiteti.

Mundësinë e grumbullimit të përfaqësueses në muajin qershor nuk e ka mohuar as kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Por, Ademi nuk ka dhënë më shumë detaje, duke thënë se janë duke punuar maksimalisht për t’i realizuar kërkesat e drejtuesve të përfaqësueses. Në fakt, Kosova humbi mundësinë që të luajë në Evropian nëpërmjet plejofit. Humbi në Shkup nga Maqedonia e Veriut, duke u eliminuar në gjysmëfinale. Maqedonia e Veriut është kualifikuar në “Euro 2020” dhe në mesin e saj do t’i ketë disa futbollistë shqiptarë. Me shqiptarë do të paraqitet edhe Zvicra, ndërsa ka gjasa që të ftohet te Belgjika edhe Adnan Januzaj. Kosova në mars do t’i luajë tri ndeshje, një miqësore dhe dy kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”. Miqësoren do ta luajë më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kundër Lituanisë. Po ashtu, në Prishtinë, më 28 mars, do ta luajë edhe ndeshjen e parë të ciklit të dytë të saj kualifikues për botërorin që mbahet vitin tjetër në Katar. Përballë do ta ketë Suedinë, ndërsa më 31 mars në Sevilla do të përballet kundër gjigantes botërore, Spanjës.

Përveç Suedisë e Spanjës, “Dardanët” në Grupin B eliminator për botërorin e vitit të ardhshëm e kanë edhe Greqinë dhe Gjeorgjinë. Pas ndeshjeve të para, Kosova në shtator luan në udhëtim ndaj Gjeorgjisë, derisa e pret Greqinë. Pastaj, në shtator, saktësisht më datë 8, e pret Spanjën në Prishtinë. Në tetor luan në udhëtim kundër Suedisë, derisa e pret më 12 tetor Gjeorgjinë dhe ciklin e dytë kualifikues e mbyll me ndeshjen që e luan në Athinë kundër Greqisë më 14 nëntor.

Për grumbullin e muajit mars, Kosova shpreson në disa lojtarë të rinj, në mesin e tyre edhe sulmuesin Astrit Selmani dhe mesfushorin Orges Bunjaku. Për të dy futbollistët, më herët për KOHËN, zyrtarë të FFK-së kanë thënë se janë duke punuar në rregullimin e dokumentacionit për ta pasur të drejtën e paraqitjes.

“Jemi duke i përcjellë të gjithë futbollistët dhe kontaktet janë të mira. Nuk mund të konfirmojmë ardhjen e asnjërit derisa t’i kemi në grumbullim. Por, ajo që mund të them është se proceset janë shumë mirë. Do të jenë lojtarë që na shërbejnë për të ardhmen, sepse projektin e kemi jo vetëm për këtë cikël, por edhe për ciklet e ardhshme kualifikuese”, ka thënë drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.

Sahiti, para se ta merrte postin e drejtorit te Përfaqësuesja e Kosovës, ishte ndihmëstrajner i përzgjedhësit Bernard Challandes. Gjatë afatit kalimtar të janarit nuk pati shumë lëvizje nga futbollistët e Kosovës dhe paraqitja në kualifikimet e Botërorit do të jetë në nivelin e njëjtë. Forma e tyre nuk është më e mira e mundshme. Disa po luajnë, e disa po kanë pak hapësirë në klubet e tyre. Herolind Shala është pa skuadër, ndërsa Benjamin Kololli mungon shkaku i lëndimit. Edhe të tjerët kanë pasur disa probleme të ndryshme me lëndime.

Postime të ngjajshme
Sport

Haxhimusa flet për gjendjen e mjerueshme me të cilën po përballet Ferizaj

Sport

Zyrtare: Suad Sahiti transferohet në Kroaci

Sport

Ndryshime edhe në futbollin e femrave, Afërdita Fazlija largohet nga posti i trajneres së Kosovës

Sport

Formacionet e mundshme: Liverpool – Chelsea