Sport

Kontratë 2-vjeçare me super pagë, zbulohen prapaskenat e transferimit të futbollistit prishtinas te Vllaznia

Nuk është thjesht një hipotezë, Liridon Latifi mund të quhet goditja më e madhe e Vllaznisë në merkaton e verës.

Edhe pse mbetet për t’u hedhur vetëm firma nën kontratë dhe pastaj të bëhet prezantimi i sulmuesit të krahut me fanellën kuqeblu, sot klubi mund të zyrtarizojë marrëveshjen, pasi Latifi pritet të mbërrijë në Shkodër për të diskutuar detajet e fundit.

Lajmin e konfirmon për “Panorama Sport” vetë futbollisti që shkëlqeu në kampionatin shqiptar me Skënderbeun dhe më pas fitoi një vend në Kombëtare.

“Po, jemi shumë afër marrëveshjes. Megjithatë, zyrtarisht nuk është ende asgjë e kryer”, ka sqaruar dje për gazetën 27-vjeçari nga Prishtina.

PRAPASKENAT – Prej ditësh drejtuesit e klubit shkodran janë në bisedime me kosovarin. Në fakt, një ofertë konkrete Latifi e kishte marrë nga Tirana, por bardheblutë nuk mundën t’ia plotësonin kërkesat.

Në këto kushte, në lojë u fut Vllaznia, teksa burime të gazetës, tregojnë se shkodranët i kanë ofruar lojtarit një kontratë 2-vjeçare, me një pagë që shkon 10 mijë euro në muaj dhe mund të shtohet për shkak të bonuseve në rast të fitimit të trofeve në sezonin 2021-2022.

Sot pritet që Latifi i shoqëruar nga babai i tij menaxher, të mbërrijnë Shkodër dhe të sqarojë detajet me sponsorin Alban Xhaferi. Në parim, palët kanë arritur marrëveshjen, por duhet pritur zyrtarizimi.

REAGIMI – Drejtuesit e Vllaznisë janë shumë hermetikë për këtë transfertë të bujshme që pritet të zyrtarizohet në orët në vijim. Duke pasur parasysh dështimet në disa “operacione” me lojtarë me shumë emër, në klub pranojnë të japin detaje vetëm atëherë kur gjithçka të ketë marrë formë zyrtare.

Megjithatë, dje drejtori sportiv, Matko Djarmati, pranoi për “Panorama Sport” se palët po negociojnë. “Jemi në bisedime me lojtarin, por nuk mund të them momentalisht asgjë më shumë. Kërkoj mirëkuptimin tuaj, pasi na ka ndodhur edhe përpara që gjërat kanë ndryshuar në momentet e fundit. Shpresoj që ta zgjidhim pozitivisht këtë transferim”, është shprehur drejtori i kuqebluve.

SITUATA – Latifit i ka përfunduar kontrata me FC Pushkash Akademi dhe vjen në Shkodër si lojtar i lirë. Klubi hungarez shpenzoi për blerjen e kartonit të kosovarit nga Skënderbeu katër vite më parë rreth 900 mijë euro.

Në dy kampionatet e fundit sulmuesi i krahut ka pasur pak hapësira te hungarezët, madje duke përfunduar te skuadra e dytë e Pushkash. Në vitin 2019 u huazua te kampionët e Moldavisë, Sherif Tiraspol, por edhe me këtë të fundit u aktivizua vetëm 11 ndeshje.

Postime të ngjajshme
Sport

Eksperti i jep shpresë Eriksenit: Mund të luajë me një kusht

Sport

Astrit Selmani, i pari që e realizon “hat-trick” në Conference Leauge

Sport

“Bombardon” përsëri Muriqi, realizon gol të bukur në miqësore me Lazion

Sport

EKSKLUZIVE: Agon Llugiqi bëhet me ekip të ri