
Kongresistja amerikane, Rashida Tlaib, e ka refuzuar ofertën e Izraelit për t’ia lejuar vizitën te gjyshja e saj në Bregun Perëndimor. Ajo tha se nuk mund t’i pranojë kushtet shtypëse që i janë ofruar.
Duke qenë kritikuese e politikës izraelite ndaj palestinezëve, asaj i është ndaluar vizita zyrtare në Izrael. Sidoqoftë, autoritetet ia lejuan një vizitë private pasi ajo ishte pajtuar të mos e përmend bojkotimin e Izraelit gjatë qëndrimit në këtë vend.
Zonja Tlaib dhe kongresistja tjetër e Partisë Demokratike, Ilhan Omar, kishin planifikuar të zhvillojnë vizitë zyrtare në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor këtë të diel.
Nën presionin e presidentit amerikan, Donald Trump, Izraeli ua ndaloi atyre hyrjen në territoret që i kontrollon.
Tlaib dhe Omar e kanë përkrahur fushatën për sanksione dhe bojkotim të Izraelit për shkak të politikave të këtij shteti ndaj palestinezëve që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Vendimi për ndalimin e hyrjes së kongresisteve amerikane në Izrael është kritikuar nga shumë organizata, përfshirë Komitetin Izraelito-amerikan për Çështje Publike, shkruan “BBC”