
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se tashmë Kombëtarja e Kosovës ka fituar tifozë të zjarrtë edhe në Shqipëri.
Dje në emisionin “Favorit” në T7 të ftuar ishin të ftuar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, trajneri e profesori i futbollit Bylbyl Sokoli dhe komentatori i Super Sport Kosovës, Leart Sveqla.
Pasi bëri të ditur ekskluzivisht për T7 se FFK-ja po bashkëpunon me Federatën Shqiptare të Futbollit për ta organizuar një kupë zyrtare të përbashkët, Salihu tha se tani Kombëtarja e Kosova ka tifozë të mëdhenj edhe në Shqipëri.
“Tash kanë filluar edhe tifozëria në Shqipëri ta duan me zemër edhe Përfaqësuesen e Kosovës. Pra, duhet të jemi sa më të kujdesshëm dhe ta kemi atë dashurinë natyrale e jo vetëm sa për sy e faqe”, u shpreh Salihu në Favorit.
Salihu shtoi se shumë tifozë të futbollit nga Shqipëria tani kanë filluar ta ndjekin edhe Ipko Superligën e Kosovës, e cila nisi sot.
Të dy Kombëtaret – edhe Dardanët, edhe Kuqezinjtë – do t’i zhvillojnë ndeshjet e radhës në muajin shtator, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.