Sport

Klubet kosovare dërgojnë aplikimin për licensim në garat evropiane, kjo është situata aktuale

Edicioni i vitit 2020/21 në kampionatet e futbollit kosovar po shkon drejt fundit.

Në fund të sezonit, skuadrat do të mësojnë fatin e tyre, me ç’rast edhe do të dihet se cilat klube do të marrin pjesë në garat evropiane.

Fituesi i Superligës së Kosovës do të marrë pjesë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, kurse fituesi i Kupës dhe nënkampioni i Superligës do të garojnë në parakualifikimet për Ligën e Evropës.

Tashmë skuadrat kanë filluar të bëjnë gati aplikimin për licensim për garat evropiane, pasi ky proces shkon me faza të ndryshe derisa të përfundojë.

Megjithatë, ky proces tani ka shkuar drejt fundit dhe klubet që kanë dorëzuar dokumentet për licensim në garat evropiane do të marrin përgjigje pas një kohe nga FFK lidhur me pranimin apo jo të aplikimit.

Secili klub duhet të përmbush rregulloret e licensimit për të qenë të gatshëm për të hyrë në kompeticionet e klubeve të UEFA-s.

Komisioni për Licencimin e Klubeve për garat e UEFA-së do të bëjë të ditur datat kur skuadrat do të marrin përgjigje lidhur me këtë.

Drejtori ekzekutiv i SC Gjilanit, Sevdail Robelli ka konfirmuar që skuadra e Gjilanit ka aplikuar për t’u licensuar për garat evropiane.

“Po, ne kemi dërguar kërkesën për licensim. Dihet tashmë klubi ynë për herë të katërt që pas pranimit në UEFA dhe FIFA e bën një gjë të tillë. Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe tani procedurat për licensim janë diçka tjetër”, tha shkurtimisht Sevdail Robelli, drejtor ekzekturiv i SC Gjilanit për ‘GazetaBlic Sport’.
Mundësi për t’u paraqitur në garat evropiane këtë edicion ka edhe skuadra e Dukagjinit, që garon në Ligën e Parë të Kosovës. KF Dukagjini ka siguruar finalen e Kupës së Kosovës, ku do të luajë me fituesin e takimit Llapi-Prishtina.

Drejtori i klubit të Dukagjinit, Fabian Veseli theksoi se skuadra e tyre ka filluar me procedurat e licensimit dhe gjithçka pritet të përfundojë shpejtë, pasi kanë hasur në disa probleme të vogla.

“Po kemi filluar me procedurat e licensimit, mirëpo akoma se kemi dërguar pasi kemi paksa probleme. Besoj që në dy tri ditët e ardhshme do ta dërgojmë aplikimin për licensim, pasi problemet nuk janë të pazgjidhura”, tha drejtori i Dukagjinit, Fabian Veseli për ‘GazetaBlic Sport’.

Ndërkohë, Tahir Batatina, trajneri i Llapit i cili e premtoi kalimin në Evropë për vite të tëra, tani është më afër se kurrë. Llapi ndodhet në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe udhëheq nga ndeshja e parë me rezultatin 2-3.

Sekretari i klubit të Llapit, Muhamet Rexhepi deklaron se skuadra e tyre ka filluar procedurën dhe kanë punuar shumë që ta kompletojnë dokumentacionin.

“Po, ne kemi filluar procedurën e licencimit sipas orareve që na dërgon departamenti në Federatën e Futbollit të Kosovës për licencim. Kemi punuar shumë në këtë drejtim për t’a kompletuar dokumentacionin, i cili na jep dritën ‘jeshile’ për licencim, por që nuk është risi për ne, pasi që këto procedura i kryejmë tash e pesë vite”, tha fillimisht Muhamet Rexhepi.

Rexhepi deklaron se klubi i tyre ka punuar në çdo aspekt, ndërsa tani i mbetet lojtarëve ta arrijnë objektivin.

“Ne jemi të përgatitur në çdo aspekt sa i përket licencimit të klubit për të luajtur në arenën ndërkombëtare. Në klub është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe në administratën e klubit, e cila është shumë profesionale dhe mund të them që është një model se si duhet funksionuar. Sa i përket punës së administratës mund të them që ne kemi bërë pjesën tonë, megjithëse presim konfirmimin nga FFK. Tashmë u mbetet futbollistëve në fushën e lojës të arrijnë objektivat e vendosura nga klubi, të cilat normalisht sikurse çdo vit tjetër janë dalja në Evropë. Kemi punuar shumë gjithashtu në këtë drejtim dhe shpresoj që ky është viti i duhur në të cilin do ta shohim Llapin në Evropë”, vazhdoi ai.

“Procedurat kanë shkuar shumë mirë deri më tani dhe ju thash edhe më parë që po presim konfirmimin nga ana e FFK-së. Jemi licencuar edhe në vitet paraprake, saktësisht pesë herë dhe nuk besoj që do ketë ndonjë problem edhe këtë edicion, pasi që jemi gjithçka në rregull. Jemi vetëm në pritje të konfirmimit për licencim nga departamenti i licencimit në FFK”, përfundoi Rexhepi.

Edhe skuadra e Prishtinës ka filluar procedurat dhe tani po presin përgjigje nga FFK’ja.

“Procesi i aplikimit shkon me faza, andaj ne jemi tani në fazën finale, tani po presim që të marrim konfirmimin nga FFK lidhur me aplikimin tonë për licensim”, tha fillimisht Fisnik Kërçeli.

Kampioni aktual i Kosovës, Feti Murseli poashtu ka konfirmuar që skuadra e tij ka përfunduar të gjithë procesin e aplikimit me datën 1 prill, duke mos pritur kështu momentet finale për ta bërë një gjë të tillë.

“Po, ka përfunduar gjithçka me datën 1 prill. Ne paraprakisht e kemi përfunduar të gjithë procesin, para afatit të fundit normalisht”, tha shkurtimisht drejtori i klubit të Dritës, Feti Murseli.

“Po, ne kemi përfunduar të gjithë procesin e aplikimit për licensim dhe jemi në rregull me gjithçka çfarë është kërkuar”, konfirmoi drejtori i Ballkanit, Idriz Hajrizi.

Postime të ngjajshme
Sport

Drita i dërgon urime Malishevës dhe Ulpianës

Sport

Kjo do të jetë përballja e zjarrtë e “Play-off”-it për inkuadrim në Superligë

Sport

Këto dy skuadra bien nga Liga e Parë

Sport

Liga e Parë: Këto dy skuadra përmbyllin sezonin fantastik me inkuadrim në Superligë, ndërsa këto janë dy skuadrat që bien