Sport

Klubet e Superligës së futbollit do të marrin nga 10 mijë euro nga shteti, klubet e sporteve tjera më pak

Klubet e mundjes në vend do të përfitojnë nga 1200 euro nga buxheti i shtetit në emër të rimëkëmbjes ekonomike. Për të realizuar këtë ndihmë, të premten është nënshkruar edhe një marrëveshje në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës së Mundjes së Kosovës. Mjetet e buxhetit të shtetit do të shkojnë nga MKRS-ja te klubet përmes federatës.

Qeveria e Kosovës në fund të shtatorit kishte vendosur të ndajë 1,53 milion euro për të ndihmuar klubet sportive në vend. Klubet më pas kishin dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Në fund të tetorit, Qeveria e Kosovës aprovoi një plan veprimi, ndërsa tashmë ka nisur edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të MKRS-së me federatat sportive. Fillimisht ishte thënë se federatat do të përjashtohen nga ky proces, por megjithatë është vendosur që paratë te klubet të shkojnë përmes federatave.

Në emër të MKRS-së, të premten marrëveshjen me Federatën e Mundjes e ka nënshkruar Ibër Alaj, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm. Ndërkohë Naim Muja ka prezantuar Federatën e Mundjes.

Alaj ka treguar për KOHËN se të gjitha klubet e sporteve individuale do të përkrahen me nga 1200 euro. Bëhet fjalë për klube të plot 31 federatave sportive.

Më së shumti do të përfitojnë klubet e futbollit. Klubet e Superligës në futboll, në të dy konkurrencat do të përkrahen me nga 10 mijë euro. Nga tetë mijë euro do t’u takojnë klubeve të Ligës së Parë në futboll.

Në tri sportet e tjera ekipore, basketboll, hendboll e volejboll, klubet e elitës do të marrin nga 5000 euro nga shteti. Klubet e kategorisë së dytë do të përkrahen me nga tre mijë euro.

“Klubet sportive do të përfitojnë 1,5 milion euro, ashtu si ka vendosur Qeveria e Kosovës. Nëse sigurojmë fond shtesë, do të përkrahim klubet për garat ndërkombëtare”, ka thënë Ibër Alaj.

Ai vlerëson shumë të rëndësishëm faktin se klubet e femrave janë trajtuar të barabarta me klubet e meshkujve.

“Sporti femëror ka marrë trajtim të barabartë në të gjitha ligat dhe kjo është shumë e rëndësishme. Çdo përfitues duhet të bëjë raportin për shpenzime. Kërkohet llogaridhënia, raportimi”, ka shtuar Alaj.

Vlerësohet se sporti është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit. Shumë klube mezi po funksionojnë, ndërkohë që situata vazhdon të jetë e rënduar. Për shkak të kufizimeve në lëvizje shumë aktivitete ndërkombëtare po shtyhen ose po anulohen. Por garat në vend po zhvillohen, ndonëse ka pak raste me koronavirus. Të gjitha ligat e sporteve ekipore janë duke u zhvilluar. Po ka edhe aktivitetet ndërkombëtare në Kosovë. Së fundi në Kosovë qëndroi përfaqësuesja e Suedisë në hendboll, ndërsa në fundjavë vjen përfaqësuesja e Sllovenisë në futboll.

Është vlerësuar shumë e rëndësishme “dora e shtetit” në këtë moment delikat për sportin, si për të gjitha aktivitetet e tjera. Komunat kanë përkrahur fare pak klubet.

Postime të ngjajshme
Sport

Ish-futbollisti i Dritës triumfon në Kupën e Lituanisë, thotë se është koha për një aventurë të re

Sport

Trajneri shqiptar harron Koronavirusin, rikthehet në stërvitje me skuadrën e tij

Sport

Rrëfimi special i shqiptarit: Si u futa në suitën e Maradonës, vinte në Tiranë për 100 mijë euro

Sport

Batatina mbështet delegimin e gjyqtarëve të rinj në Superligë