
KFF Mitrovica ka kaluar grupin parakualifikues në Ligën e Kampionëve, derisa ka dalë e para në grupin 2 me pikë të plota.
Kësisoj, për herë të parë në historinë e re të futbollit kosovar një klub yni do të marrë pjesë në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve në konkurrencën e femrave, ku janë të përfshira 32 ekipe.
Shorti për rrethin e dytë do të tërhiqet më 16 gusht në Nion, derisa ndeshjet e këtij rrethi do të zhvillohen me sistem eliminimi më 11 ose më 12 shtator dhe më 25 ose më 26 shtator.
Pa asnjë dyshim triumfi i Mitrovicës në Ligën e kampionëve është meritë e futbollisteve, të cilat duke dashur në mënyrën më të mirë të mundshme ta prezantojnë Mitrovicën dhe Kosovën dhanë gjithçka, duke mos kursyer asgjë, vetëm e vetëm të dëshmojnë se edhe këtu ka vlera.
Futbollistja Egzona Zeka ka thënë se ky sukses nuk do të harrohet kurrë, por synimi i tyre nuk mbetet me kaq, pasi ato tash janë të etura për spektakle tjera.
“Sinqerisht nuk i kemi pritur këto rezultate, por falë punës dhe përkushtimit të madh i arritëm. Ky sukses nuk do të ishte arritur pa një punë të madhe si nga ana e stafit të trajnerëve, gjithashtu edhe të ne lojtareve, ku dhamë gjithçka në fushë për t’u paraqitur sa më mirë e ku edhe shkruam historinë duke u kualifikuar”, ka thënë Egzona Zeka për gazetën “Zëri”, sipas së cilës emocionet kanë qenë të papërshkruara dhe se vetëm një sukses i tillë mund të prodhojë emocione të tilla.
“Është një ndjenjë e papërshkrueshme. Ndihemi krenare për rezultatin e arritur dhe shpresojmë se ky sukses nuk do të ndalet me kaq”, ka përfunduar Egzona Zeka.