Java e 11-të në Superligën e Kosovës në futboll vazhdon në mesditën e sotme me tri ndeshje mjaft interesante.
Pa dyshim vëmendje maksimale do të ketë në Gjilan, ku në stadiumin e qytetit do të vihen përballë Gjilani dhe Llapi.
Të dyja skuadrat janë në formë të mirë për momentin, derisa gjilanasit vijnë pas fitores në fundjavë kundër Feronikelit 1:2, ndërsa skuadra nga Podujeva pas fitores bindëse 4:1 kundër Trepçës ’89.
Momentalisht Gjilani renditet në vendin e dytë në renditjen tabelore me 21 pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e parë, kurse Llapi ka një pikë më pak dhe zë vetëm vendin e tretë.
Pas humbjes nga Llapi i Tahir Batatinës, Trepça ’89 e Shpëtim Idrizit synon këndellje kundër Ferizajt.
Në ndeshjen që do të zhvillohet në “Riza Lushta” mitrovicasit duan këndellje dhe rezultat pozitiv për t’u ngritur në tabelë, por që edhe Ferizaj i Bekim Isufit, që njihet për rezultatet e mira si mysafir, do të tentojë të befasojë.
Në renditjen tabelore Trepça ’89 zë vendin e tetë me dhjetë pikë të tubuara, kurse Ferizaj ndodhet një vend më poshtë dhe me një pikë më pak.
Për fund Ballkani do të synojë t’u kthehet fitoreve pas humbjes 2:0 nga Drita në fundjavë.
Djelmoshat e Ismet Munishit presin kryeqytetasit e Flamurtarit në Therandë, në një ndeshje ku për vendasit opsion është vetëm fitorja.
Ndërkohë, Flamurtari me largimin e Artim Shaqirit dhe me ardhjen e Synaj Keçit do të synojë befasi sot.
Ballkani pas humbjes nga Drita ndodhet në vendin e katërt në tabelë me 20 pikë, kurse Flamurtari në vendin e dhjetë me nëntë pikë.
Të tria ndeshjet e sotme nisin nga ora 14:00.