Zgjedhjet 2021

Këto janë premtimet e partive në ditën e parë të fushatës

Partitë politike dje nisën zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje e nisi me Pejën ku atje ishin Albin Kurti e Vjosa Osmani, por që tubimin më të madh e mbajtën në mbrëmje në Prishtinë, ku të dy mbajtën fjalime e dhanë premtime të ndryshme për qytetarët.

Edhe LDK e nisi fushatën në Prishtinë, ku kandidati i saj për kryeministër Avdullah Hoti përveç që prezantoi kandidatët për deputetë, dha jo pak premtime.

AAK-ja e Ramush Haradinajt zgjodhi qytetin e Prizrenit, ku mbajti tubimin tek Lidhja e Prizrenit, kurse NISMA e Fatmir Limajt zgjodhi Lipjanin për hapje të fushatës, shkruan Reporteri.net.

Por çfarë premtime dhanë partitë ditën e parë të fushatës zgjedhore?

Premtimet e Kurtit:

Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, bëri jo pak premtime në ditën e parë të fushatës.

Ai premtoi ndërtimin e një stadium nacional, investim për të forcuar shkollat e sportit për fëmijët, poashtu tha se arsimi në shkolla do të digjitalizohet, do të formojmë Fondin e Hulumtimeve Shkencore.

Kurti premtoi se do të ndajnë dy mijë euro për të rinjtë për të punuar në startup, si dhe tha se do të zvogëlojnë numrin e papunësisë.

Kurti ka thënë se diasporës do t’ia largojnë kartonin e gjelbër dhe do t’ua mundësojnë votimin në ambasada dhe konsulatat në vendet ku jetojnë.

Premtimet e Hotit:

Kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, ditën e parë të fushatës lavdoi qeverinë që drejtoi si kryeministër ku tha se e ka nxjerr ekonominë nga kriza e pandemisë, shkruan Reporteri.net

Ai përmendi edhe marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington, ku tha se siguroi njohjen nga Izraeli duke thyer bllokadën trevjeçare të mosnjohjeve.

Hoti gjatë prezantimit të programit qeverisës të LDK-së ka folur për kundërshtarët politikë,

“Janë të njëjtit njerëz që kanë heshtur dhe kanë qenë kundër në çdo fazë të shtetndërtimit të Kosovës, që kanë kundërshtuar politikën paqësore të Ibrahim Rugovës, që bënin thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e Serbisë në vitet ‘90 dhe kanë qenë kundër Rambujesë”, ka deklaruar ai.

Premtimet e Hoxhajt:

Kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj pasi prezantoi listën e kandidatëve për deputetë prezantoi poashtu planin e Rimëkëmbjes.

Ai premtoi rimëkëmbje për studentin, që i bie studime falas në universitet, rimëkëmbje për të rinjtë e papunë, 15 milionë euro për të nxitur ndërmarrjet e reja, pagë 1500 euro për mjekun specialist dhe 650 euro për infermierët, shlyerje deri në 50% të kredive për fermerët, rritje të pagave për mësuesit në 600 euro, për profesorët e shkollave të mesme në 700 euro, për profesorët universitarë dhe akademikët në 1800 euro.

Hoxhaj, poashtu premtoi rritje të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta, për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve nga 170 në 300 euro, si dhe rritje prej 40 % të pensioneve për pensionistët.

Premtimet e Haradinajt:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zgjodhi qytetin e Prizrenit për ta hapur fushatën, njofton Klan Kosova.

Kandidat për president nga kjo parti, Ramush Haradinaj tha me të si president në bashkëpunimin me kryeministrin, do të menaxhohet mirë ekonomia.

Ai tha se asnjëherë nuk do të lejoj nga askush që të nëpërkëmbet e drejta e ndokujt – do të respektojë të gjitha pakicat etnike.

“Për të kuptuar se kush është presidenti i mirë duhet të kuptojmë se do të përballemi me Serbinë ku presidenti Vuçiq po e cënon integritetin e Kosovës”, tha Haradinaj.

Premtimet e Limajt:

Kandidati për kryeministër nga NISMA, Fatmir Limaj, në ditën e parë të fushatës foli më shumë për çlirimtarët.

Ai ka deklaruar se është këtu për të garantuar që zëri i çlirimtarëve nuk mund të shuhet dhe ajo të të jetoj me krenari në çdo pjesë të vendit tonë.

Postime të ngjajshme
LajmeZgjedhjet 2021

Lista e 20 kandidatëve më të votuarit të PDK’së

LajmeZgjedhjet 2021

Votat e djalit të Sami Lushtakut në Drenicë

LajmeZgjedhjet 2021

Kandidati i PDK-së tregon se sa vota ka marrë

LajmeZgjedhjet 2021

Kaq vota mori gruaja e Adem Mikullovcit në Mitrovicë