Sport

Katër lojtarët kryesor që do t’i mungojnë Kosovës ndaj Maqedonisë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të mërkurën (sot) do të udhëtojë për në Shkup, ku të enjten nga ora 20:45 takohet me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.

Në delegacion nuk do të jenë të paktën tre lojtarë shumë të rëndësishëm të Kosovës, ndërsa me shumë gjasë do të mungojë edhe një “shtyllë” e katërt. Tashmë është e konfirmuar se Kosovës do t’i mungojë sulmuesi kryesor, Vedat Muriqi, mesfushori kryesor, Hekuran Kryeziu, dhe lojtari kryesor i krahut të djathtë, Milot Rashica. Ka gjasa të mëdha që të mungojë edhe lojtari kryesor i mbrojtjes, Amir Rrahmani.

Mungojnë edhe Idriz Voca, një lojtar me potencial për të luajtur në mesfushë dhe kapiteni Samir Ujkani, që ishte portier i parë në ndeshjen e fundit.

Derisa për Rashicën, Kryeziun, Vocën e Ujkanin më herët është ditur se do të mungojnë, për Vedat Muriqin kjo u konfirmua vetëm të martën, dy ditë para ndeshjes. Muriqi ka pasur një verë jo shumë të lehtë. Fillimisht ishte i zënë me transferim e po ashtu pësoi një lëndim dhe kaloi koronavirusin. Lojtari që tashmë është te Lazio ishte në listën e Kosovës për tri ndeshjet e këtij muaji, por megjithatë nuk do të grumbullohet me përfaqësuese. Selektori Bernard Challandes edhe të hënën ishte pesimist për Muriqin, që ende është në fazë rikuperimi.

FFK-ja përmes një komunikate konfirmoi mungesën e tij. Muriqi është golashënuesi më i mirë i Kosovës dhe sulmuesi kryesor i saj. Së fundi ka luajtur ndaj Malit të Zi më 14 tetor të vitit të kaluar. Kishte realizuar një gol në fitoren 2:0. Kosova nuk ka fituar më. Ka pësuar nga Çekia e Anglia në nëntor të vitit të kaluar, nga Suedia në janar, ka barazuar me Moldavinë në fillim të shtatorit dhe pësoi nga Greqia më 6 shtator. Kosova ishte me ekipin B ndaj Suedisë B. Në katër ndeshjet e tjera Muriqi mungoi me lëndime e për arsye të njëjtë mungon edhe ndaj Maqedonisë të enjten.“Muriqi ka pasur sot testet e fundit në klubin e Lazios dhe në kokën e tij gjithçka ishte e qartë, që pas këtyre testeve ai do të nisej për Kosovë. Mirëpo në testin e fundit u kuptua definitivisht që nuk ka asnjë gjasë që të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Maqedonisë dhe për dy ndeshjet e mëvonshme. Gjendja fizike nuk e lejon atë që në ndonjë formë të jetë pranë bashkëlojtarëve”, ka njoftuar FFK-ja.

Postime të ngjajshme
Sport

Ballkani po feston fitoren në një kafene, Ismet Munishi pritet si një hero

Sport

Hyseni: Nuk bëmë paraqitje të mirë, ja se çfarë do ndodhë me Mezanin

Sport

Rezultatet e plota të xhiros së gjashtë në Ligën e Parë

Sport

Idrizi: Ishim më të mirë se Gjilani, ky talent i yni do jetë nga më të mirët në Kosovë