Sport

Katapultat GPS vlerësohen si kulturë e re në futbollin tonë, tri klube të tjera nga Superliga marrin ato

Tri klube tjera të BKT Superligës janë pajisur sot nga FFK-ja me pakot e katapultave GPS, në kuadër të fazës së parë të projektit të digjitalizimit.

Gjatë ditës së sotme, presidenti Agim Ademi e ka shpalosur rëndësinë e këtij projekti para futbollistëve dhe shtabeve teknike të KF Feronikeli, KF Drenica dhe KF Dukagjini.

Ai është shprehur i lumtur që pas digjitalizimit të federatës ka ardhur radha edhe për digjitalizimin e klubeve, duke u bërë ndër vendet e pakta në rajon që po arrin t’i realizojë projektet e tilla të teknologjisë së fundit.

“Pas projektit VAR që është mirëpritur nga të gjithë ju dhe opinioni i gjerë, tani kemi filluar edhe me fazën e parë të digjitalizimit të klubeve të Superligës, duke bërë furnizimin e tyre me pakot e katapultave GPS. Kjo është një pajisje e teknologjisë më të fundit, e lehtë për t’u bartur dhe shumë e përshtatshme. Kjo pajisje e mundëson që të shihet performanca e juaj fizike, por edhe pozicionimi juaj në fushë. Ky projekt do të na mundësojë të shohim se sa do të kemi ngritje në aspektin fizik dhe profesional në klubet tona. Por, ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, ngase pas një viti sigurisht se do të bëjmë një hap tutje në digjitalizim, në mënyrë që të nxirren të gjitha statistikat e futbollistëve përfshirë edhe vendosjen e çipave në top, që do të mundësojnë të kemi statistika edhe për shpejtësinë dhe saktësinë e gjuajtjes së secilit lojtar”, ka thënë gjatë këtyre vizitave presidenti Ademi.

Në të tri këto vizita me praninë e tyre presidentin Ademi dhe zyrtarët e tjerë të federatës i kanë nderuar edhe drejtuesit e klubeve, të cilët kanë shprehur falënderime ndaj FFK-së për realizimin e projekteve të tilla madhore.

“Në emër të qytetit dhe të klubit tonë të falënderojmë president për mbështetjen që na ke dhënë si klub jo vetëm me këto pajisje por edhe në projekte tjera. Realisht këto pajisje janë të mirëseardhura për ne, ngase e ndihmojnë stafin e trajnerëve dhe stafin mjekësor që ta përcjellin gjendjen dhe formën e secilit futbollist dhe sigurisht se do të ndihmojnë në rritjen profesionale”, ka thënë drejtori i KF Feronikeli, Artan Berisha.

Ndërkaq, mirënjohje për presidentin Ademi dhe KE të FFK-së për punën dhe realizimin e projekteve të këtilla kanë shprehur edhe kryetari i KF Drenica, Mustaf Bajraktari dhe ai i KF Dukagjini, Fabian Veseli.

E tejet i lumtur që tashmë në ekipin e tij do të kenë mundësi të punojnë me këto pajisje është shprehur ndihmëstrajneri i Dukagjinit, Artan Luzi.

“Të falënderoj shumë president për këtë projekt. Kjo është një gjë shumë e mirë për futbollin e Kosovës, për trajnerët dhe për vetë futbollistët. Di të them se Federata italiane si një prej federatave më të mëdha evropiane nuk e ka bërë ende këtë që ju tashmë e keni bërë realitet. Kjo është si një risi në futbollin tonë, që do të na ndihmojë shumë në punën tonë si trajnerë. Por, kjo më tepër do t’i shërbejë brezave të ardhshëm, sepse me këtë projekt keni futur një kulturë të re në futbollin tonë. Kjo është ajo që më jep më tepër dëshirë për të punuar sepse e di që tashmë i kemi kushtet që t’i përgatisim brezat e ardhshëm me teknologjinë e fundit, që ne s’kemi mundur ta bëjmë për shkak të mundësive tona ekonomike”, ka thënë Luzi.

Related posts
Sport

Këto janë skuadrat e kualifikuara në raundin eliminues në Ligën e Kampionëve

Sport

Barcelona nuk ia del në “Allianz Arena”, mposhtet nga Barcelona

Sport

Futbollisti i Dritës pritet të operohet, luajti 60 minuta me dorë të thyer ndaj Prishtinës

Sport

Barcelona pëson edhe golin e tretë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *