Lajme

Kaq vite burgim mund të dënohet burri që rrahu brutalisht gruan në market

Feim Berisha, 46-vjeçar, është kapur nga kamerat e sigurisë së marketit në Prishtinë, derisa ka rrahur brutalisht një 41-vjeçare. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijëve dhe bashkëshortes së të dyshuarit.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të së hënës, ka njoftuar se rasti ka ndodhur të dielën, në orën 14:20. Sipas këtij raporti, sulmi fizik ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje.

Sipas policissë, nga goditjet viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“LËNDIM I LEHTË TRUPOR-Prishtinë, 24.10.2021 – 14:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia të hënën.

Të martën, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se prokurori i shtetit ka paraqitur kërkesën që ndaj të dyshuarit të shqiptohet masa e paraburgimit.

Në njoftimin e Prokurorisë, është bërë e ditur se F.B. dyshohet për veprën penale “Sulmi”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet F.B., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. “Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Por, cili është dënimi sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale “Sulmi”

Në nenin 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, bëhet e ditur se dënimi për veprën penale “Sulmi” ndryshon në varësi të rrethanave të kryerjes së kësaj vepre.

Për këtë vepër penale, dënimi mund të jetë edhe me gjobë me para, apo nga gjashtë muaj deri në 3 vjet burgim, varësisht prej rrethanave në të cilat është kryer vepra. /frontonline.net/

Postime të ngjajshme
Lajme

Reshje bore, ky është parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme

Lajme

Krejt çka ndodhi në tragjedinë e sotme në Gllogjan ku u vranë tre persona

Lajme

E afërmja e 17-vjeçares së vrarë në Gllogjan: Ëndrra e saj ishte të bëhej doktoreshë

Lajme

Krimi makabër në Gllogjan, flet dëshmitari që ishte në autobus