
Kryekuvendari i Kosovës, Kadri Veseli, ngriti lartë figurën e heroit të Kosovës Skënder Çekut, duke thënë se kontributi i tij ishte i pazëvendësueshëm në betejat e Loxhës.
“Heroi i Kosovës – Skënder Çeku, ishte një prej veprimtarëve më të hershëm në përpjekjet tona për liri dhe pavarësi. Ai dha kontribut shumëvjeçar në organizimin dhe armatosjen e ushtarëve të UÇK-së. Shquhej për aftësi shumë të mira luftarake dhe kontributi i tij ishte i pazëvendësueshëm në betejat e Loxhës”.
“Ishte i guximshëm dhe me heroizëm të madh u dilte gjithnjë në ballë betejave. Rënia e tij para 21 vjetësh ishte një humbje e madhe për UÇK-në. Do ta kujtojmë gjithmonë si luftëtar dhe strateg të madh, që la gjurmë të pashlyeshme në luftën tonë çlirimtare”, përfundoi Veseli.