
Pas humbjes 4-0 të pësuar në javën e parë të Premier League kundër Manchester United, londinezët janë mundur në finalen e Superkupës së Europës kundër Liverpool-it dhe, në fund, ka ardhur barazimi 1-1 në shtëpi kundër Leicester në javën e dytë të Premier League.
Një ecuri që nuk është pëlqyer nga tifozët dhe as nga spektatorë më të famshëm, si Jamie Carragher, ish-mbrojtës dhe flamur i Liverpool-it, i cili punon aktualisht si komentator televiziv.
Me rastin e “Monday Night Football”, ish-legjenda ka kritikuar lojën e Chelsea-t dhe përkushtimin e lojtarëve të Lampard, duke e krahasuar taktikën e tij me skemat e basketbollit.
“Është si të shikosh një ndeshje basketbolli. Frank ka dëshirë të luajë si të gjithë trajnerët e mëdhenj dhe ka idenë e duhur. Por nuk ka organizim. Befasohen me shumë lehtësi në kundërsulm dhe nuk kanë një zotërim të mirë të topit”, ka thënë Carragher, i cili më pas ka përmendur edhe tre fajtorët kryesorë: Azpilicueta, Jorginho dhe Willian.
“Azpilicueta duhet të jetë një ekspert, megjithatë, pavarësisht se Lampard kërkon që mbrojtësit e krahut të shtyjnë përpara, ai nuk e kupton se nuk duhet të dalë në sulm gjithmonë dhe të kapet i papërgatitur. Jorginho? Lojtarët ekspertë si ai nuk e pranojnë sfidën dhe kalohen me shumë lehtësi, duke i dhuruar hapësira të pabesueshme kundërshtarëve”.
“Dhe Willian, të cilin unë e adhuroj, ka qenë i tmerrshëm. Mendoj se nuk e kanë kuptuar akoma se çfarë kërkon trajneri nga ata…”.