Sport

Inter – Napoli, super përballja e mbrëmjes

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Viti i ri në Itali startoi si zakonisht me atmosferën festive të Epifanisë dhe kampionati italian tashmë bëhet gati për të kompletuar javën e parafundit të fazës së parë të këtij edicioni të Serisë A.

Ndeshjet filluan që ditën e dielë, sidoqoftë sfidat e javës së 18-të do të mbyllen me përballjen Napoli – Inter, natyrisht dueli më i fortë, prandaj në mënyrë të kuptueshme për një takim të tillë është rezervuar pikërisht edhe orari i mbrëmjes.

Gennaro Gattuso bëhet gati për sfidën e tij më të fortë në drejtimin e klubit nga Campania dhe si për ironi të fatit që në ndeshjen e tretë në timonin e Napolit 41-vjeçari kalabrez do të drejtojë ekipin e tij të ri ndaj rivalëve të përjetshëm të Interit. Në “San Paolo”, mbi të gjitha, do të përballen dy skuadra që kanë një rivalitet të veçantë ndërmjet tyre, për më tepër në këtë stadium “zikaltrit” nuk fitojnë prej më shumë se dy dekadash në Serinë A. Më saktë që nga viti i largët 1997, kur klubi i famshëm lombard regjistroi dy fitore brenda një viti në fushën e “të kaltërve”.

Dy dekada më vonë historia e këtij dueli ka ndryshuar vërtet shumë dhe, për hir të së vërtetës, Napoli ka që nga viti 2012 që e lë gjithmonë prapa në klasifikimin përfundimtar ekipin e Interit, madje në shtatë sezonet e fundit skuadra “azzurre” ka qenë vazhdimisht forca e dytë e kampionatit, pas vetëm “bardhezinjve” të Juventusit.

Klubi i Napolit është shpallur nënkampion i Italisë në dy edicionet e fundit të Serisë A, por, i zhgënjyer nga ecuria e tmerrshme në kampionat, presidenti Aurelio De Laurentiis vendosi të shkarkonte trajnerin e mirënjohur Carlo Ancelotti, duke e zëvendësuar madje 60-vjeçarin nga Reggiolo menjëherë pas suksesit 4-0 me Genkun në shtëpi, që për më tepër i garantoi ekipit vendas edhe kalimin për në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë në Champions League.

“Ringhio” e nisi keq, duke humbur sfidën e tij të parë në “San Paolo” me një kundërshtar si Parma, ndërsa 3 pikët e para me skuadrën e tij të re trajneri kalabrez i siguroi në Reggio Emilia, falë një autogoli të mesfushorit të Sassuolos, Pedro Obiang, në 94′.

Në krahun tjetër, drejtuesit e Interit shkarkuan Luciano Spalletti-n, për t’i besuar ekipin në ditën e fundit të majit trajnerit Antonio Conte. Historia ka ndryshuar vërtet shumë për këtë klub dhe ekipi “zikaltër” ka nisur një marshim triumfues, që në 17 javët e deritanishme përmban 13 fitore 3 barazime dhe vetëm 1 humbje. Disfata, në mënyrë të kuptueshme, është pësuar në duelin me Juventusin brenda në Milano, ndërsa barazimet janë regjistruar në sfidat me Parmën, Romën dhe Fiorentinën, e falë një ecurie të tillë dy javë para mbylljes së fazës hapëse, Interi ka ruajtur në këtë mënyrë hapin e kampionëve në fuqi, për të kryesuar kampionatin italian në të njëjtë kuotë pikësh me “Zonjën e Vjetër”, transmeton Supersport.

“Zikaltrit” kanë një kalendar të mirë në javët e ardhshme, ndërsa Napoli, deri në fundin e muajit janar, do të duhet të matë forcat gjithashtu edhe me Lazion, Fiorentinën dhe Juventusin. Miqtë paraqiten me formacionin e tyre më të mirë dhe pritet të rreshtohen përsëri me mbrojtjen me tre, ndërsa përpara trajneri puljez do t’i besojë sërish Lukakut dhe Lautaro Martinezit, që kanë shënuar respektivisht nga 12 dhe 8 gola secili në këtë edicion të Serisë A, ndërkaq Gattuso nuk do të ketë në dispozicion lojtarë si Koulibaly, Mertens, Maksimovic, Ghoulam dhe Tonelli.

Në Stadiumin “San Paolo” Napoli ka fituar 9 dhe barazuar 4 nga 13 përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave në Serinë A. Edicionin e kaluar Napoli triumfoi në shtëpi me shifrat 4-1, ndërsa Interi fitoi duelin e fazës së parë në “San Siro” me rezultatin 1-0, ndërkaq dy sfidat e sezonit 2017-18 përfunduan me rrjeta të paprekura.

Takimi do të zhvillohet në orën 20:45 dhe do të drejtohet nga kryesori Daniele Doveri.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
Sport

I mbajtur një vit në burgun serb pasi e ngatërruan me dikë tjetër, Petrit Dula pas lirimit rrëfen për periudhën e vështirë që kaloi

Sport

Gjilani kalon në epërsi ndaj Llapit

Sport

Shënon Llapi, e ngushton rezultatin

Sport

Duka më i votuari në UEFA, rizgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv