
Portieri i Trepçës’89, Arben Beqiri së fundmi ka zbuluar se është duke vuajtur nga kanceri në lukth.
‘Gardiani’ i mirënjohur kosovar kishte shokuar opinionin sportiv në Kosovë me rrëfimin për sëmundjen e tij, raporton Zëri.
Pas gjithë kësaj, komuniteti sportiv në Kosovë i kishte dalë në përkrahje Beqirit, derisa tashmë është marrë edhe një nismë.
Ishte trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi, i cili kërkoi nga Shoqata e Futbollistëve të Kosovës që të nisin një iniciativë për ta ndihmuar Beqirin.
Sot, në emisionin ‘Dueli Sportiv’, Munishi ka treguar se kjo është mirëpritur nga Shoqata në fjalë, derisa ka zbuluar se ka biseduar edhe me Beqirin personalisht.
“E kam shkruar një status në ‘Facebook’ në lidhje me këtë situatë dhe menjëherë Visar Zogiani i Shoqatës më është lajmëruar duke reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Munishi, përcjell Zëri.info.
“Nuk dua t’i marrë meritat për vete, pasi që të gjithëve iu takojnë meritat”, u shpreh trajneri i Ballkanit.
“Kam kontaktuar edhe me Arbenin, i cili është shprehur falënderues, derisa ka shprehur një lloj shqetësimi se mos po grumbullohen më shumë para se që duhen”, tregoi më tej Munishi.