
Veç pak minuta para se të nisë seanca e shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është optimist që deputetët e kësaj legjislature do të votojnë pro shpërbërjes së këtij Kuvendi e më pas vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në një deklaratë për T7, Haradinaj shkurt tha se zgjidhja e vendit është që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Pres që të votohet shpërbërja e Kuvendit”, ka thënë Haradinaj.
Ndersa duke hyrë në zyrën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, para se të niset për në Kuvend Kryeministri në largim Haradinaj tha se “Zgjidhja e vendit është ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Do të votojmë të gjithë”.
Sot mund të jetë seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për këtë legjislaturë pasi deputetët, në seancën që fillon prej orës 10:00, pritet të votojnë pro shpërndarjes së këtij institucioni.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit duhet të votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, me mbi 80 vota, dhe 93 deputetë që nënshkruan për thirrjen e kësaj seance duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë atë që kanë nënshkruar.