Sport

Gjilani e Drita me probleme, shkak stadiumi

Stadiumi i qytetit në Gjilan ende është në vazhdën e punimeve të cilat janë duke vazhduar me një ritëm të ngadalshëm dhe nuk dihet ende se kur saktësisht do të përmbyllen.

Aktualisht, janë tribunat e stadiumit të cilat disa janë në proces, e disa ende nuk kanë filluar të rinovohen.

Dy klubet nga i njëjti qytet, Gjilani dhe Drita mund të përballen me nje hendikep, pasi në rast se punimet fillojnë në fushën e blertë, dy skuadrat duhet të gjejnë një stadium tjetër.

“Zeri.info” ka kontaktuar zyrtarët e dy klubeve të qytetit për të parë se cila është gjendja në rast se mund të ndodh një gjë e tillë.

Sevdail Robelli, drejtor gjeneral i SC Gjilanit ka thënë se ndonëse ata nuk kanë marrë ndonjë vendim përfundimtar në lidhje me fatin e stadiumit, për t’i zhvilluar ndeshjet në stinorin pranveror ose jo, ata tashmë kanë një opsion të dytë.

“Ne e kemi përgatitur stadiumin me bari sintetik në Gjilan. E kemi licencuar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Ende nuk kemi vendim përfundimtar nëse do t’i zhvillojmë të gjitha ndeshjet në stadiumin kryesor të qytetit ose te ai me bari sintetik. Ka mundësi t’i shfrytëzojmë dy stadiumet varësisht nga punimet në stadiumin kryesor dhe nga kushtet atmosferike”, ka thënë Sevdail Robelli.

Ndërkaq, drejtori sportiv i klubit të Dritës, Valon Zymberi ka potencuar se stadiumi me bari sintetik që gjendet afër varrezave të qytetit, është alternativ edhe për ta.

Ai kishte edhe kritika për punimet që po bëhen në stadiumin e Gjilanit, dhe sipas tij nuk është duke i ardhur “era” që aty të rregullohet ndonjëherë.

“Ne nuk kemi marrë asnjë komunikatë për këtë gjë. Kjo është paraparë që pas këtij sezoni ne nuk mund t’i zhvillojmë ndeshjet në stadium. Ky sezon parashihet që ndeshjet të luhen në stadiumin e qytetit edhe pse punimet vazhdojnë përreth tribunave. Gjithsesi, aty nuk është fija për t’u rregullar, sepse janë ndal punimet dhe nuk është duke i ardhur era që do të rregullohet stadium ndonjëherë. Por, ne e kemi si opsion të dytë, stadiumin alternativ me bari sintetik afër varrezave të qytetit”, ka thënë Valon Zymberi për “Zeri.info”.

Gazeta ka tentuar të bisedojë edhe me punëkryesin, por kontakti ka qenë i pamundur.

Ndryshe, Arbëria e Dobrajës së Madhe të Lipjanit është duke u përballur me mungesën e stadiumit të saj dhe ndeshjet si vendas do t’i zhvillojë në Ferizaj.

Postime të ngjajshme
Sport

Tigrat e Zi kërkojnë dorëheqjen nga Klodian Duro

Sport

SUPERLIGA: Mbyllen me këto rezultate takimet, Feronikeli - Drenica dhe Besa - Arbëria

Sport

SUPERLIGA LIVE: Feronikeli - Drenica dhe Besa - Arbëria, mbyllen pjesët e para

Sport

Superliga Live: Feronikeli – Drenica, Besa – Arbëria