Sport

Gjiganti kroat, Marijan Coric – po synon ta dërgojë Llapin drejt trofeve

Porta ishte njëra nga pikat më të dobëta në stinorin vjeshtor të kampionatit për skuadrën e Llapit.

Madje, trajneri i këtij ekipi, Tahir Batatina ishte ankuar në disa ndeshje se ‘katërkëndëshi’ i tij ishte ‘thembra e Akilit’ duke ndryshuar nga java në javë ‘gardianin’ e portës. Megjithatë, “Legjendat” tashmë nuk duhet të vrasin mendjen për këtë gjë, pasi që një gjigant 204 centimetra po përkujdeset për sigurinë e tyre.

Fjala është për Marijan Coric, portierin kroat, i cili erdhi te Llapi nga skuadra SV TEC Tiel në Holandë dhe fascionoi në dy ndeshjet e para të stinorit pranveror. Madje, duke pritur edhe penaltinë vendimtare të Visar Berishës në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit dhe duke i dhënë kualifikimin ekipit të Llapit.

 

Në një prononcim për Gazetën “Sheshi” ai ka zbuluar arsyet përse ka vendosur të pranojë një ofertë nga skuadra e Llapit, teksa ka folur edhe për cilësitë e futbollit kosovar dhe të kaluarën e tij të bujshme.

“Unë e pranova ofertë sepse jam i etur për të provuar vetën time në sfida të reja dhe natyrisht për ti treguar cilësitë që kam dhe për të shkuar në nivele më të larta”, deklaroi fillimisht Coric.

Dallimi mes futbollit kosovar dhe atij në rajon është vetëm në nuanca, teksa beson se skuadra e Llapit ka potencial për ta mposhtur secilin klub tjetër në Superligë.

“Mendoj se kampionati i Kosovës është mirë për nga cilësia dhe vetëm disa nuanca janë në pyetje. Prova dhe dëshmia më e mirë për këtë ishte faza përgatitore në Turqi dhe përballja me ekipe që luajnë në liga më të forta”, deklaroi ndër të tjerash 26 vjeçari.

 

“Ekipet këtu janë të forta, secila skuadër ka kualitet dhe secila skuadër di të luajë futboll. Unë jam i bindur që ne kemi cilësi për ta mposhtur çdo skuadër”.

‘Gardiani’ ri i Llapit e vlerëson si pozitiv startin me skuadrën e tij të re, megjithëse thekson se kanë mundur të bëjnë edhe më mirë, nëse do të kishin fatin në anën e tyre.

“Unë e kam bërë më të mirën e mundshme. Jemi paraqitur mjaft mirë në dy ndeshjet e para të stinorit pranveror, por nuk e kemi patur fatin në disa momente që të realizojmë për të marrë rezultate edhe më të mira”, potencoi Coric.

Djaloshi i lindur Capljina ka një karrierë të pasur, teksa ka qenë pjesë e shumë klubeve të njohura në rajon dhe Evropës. Megjithatë, ai ka një ekip të cilin do ta mbajë mend gjatë.

 

“Nga të gjitha klubet që kam patur do ta veçoja Parmën, ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe më erdhi shumë keq që klubi falimentoi”, shtoi Coric.

Në fund ai ka folur edhe për synimet e Llapit në këtë edicion.

“Synimi ynë është ta fitojmë Kupën e Kosovës dhe të pozicionohemi sa më mirë në renditjen tabelare. Ne do ta bëjmë më të mirën e mundshme për ta arritur këtë objektiv”, ka përfunduar Coric.

Në vikend skuadra e Llapit do të takohet me Gjilanin në “Zahir Pajaziti”.

Postime të ngjajshme
Sport

Krasniqi flet për golat e tij me Prishtinën: Shpresoj të vazhdojë në këtë mënyrë

Sport

Barcelona vazhdon shkëlqimin, fitore komode në udhëtim te Osasuna

Sport

Juventusi fiton ndaj Lazios

Sport

Selmani reagon pas rastit të dyshimtë në ndeshje ndaj Prishtinës