Lajme

Gjatë festës së Bajramit qytetarët thonë se do të respektojnë rregullat

Qytetarët thonë se do të respektojnë rregullat gjatë festës së Bajramit.

Pas tridhjetë ditë agjërimi, nesër besimtarët myslimanë festojnë festën e Fitër Bajramit.

Zakonisht ceremonia e festimit të kësaj feste myslimane fillon me faljen e namazit të mëngjesit në xhami, por edhe faljen e Bajramit. Mirëpo, sivjet për shkak të masave kundër pandemisë Covid-19, xhamitë do të qëndrojnë të mbyllura.

Megjithatë, qytetarët myslimanë, pajtohen me vendimet e institucioneve shëndetësore, por edhe fetare. Ata thonë se do të vazhdojnë t’i respektojnë rregullat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Qytetari, Asllan Janoha, thotë se mbyllja e xhamive ka ardhur si rezultat i vlerësimit të gjendjes 2 mujore me Covid-19, nga Ministria e Shëndetësisë. Ai theksoi se këtë vit duhet t’i lënë anash tubimet tradicionale që zhvillohen zakonisht për këtë festë.
“Qytetarët duhet ta kuptojnë se me rastin e epidemisë së koronavirusit, IKShPK-ja, e ka përcjell gjendjen qe 2 muaj e më shumë, prandaj edhe qytetarët janë vetëdijesuar se falja e Fitër-Bajramit këtë vite nuk do të bëhet. Ma merr mendja se është e arsyeshme edhe mos me u falë nëpër xhamia edhe mos me u tubu siç e kemi zakon ne Shqiptarët me shku nëpër ndeja, me u tubu nëpër dreka darka”, thotë ai.

Qytetari tjetër, Osman Vitia, thotë se mbyllja e xhamive dhe festimi i Fitër Bajramit në mënyrë jo të zakonshme, ka ardhur si rezultat i situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, andaj duhet të respektohet.

“Sigurisht që jo shumë e pranueshme për qytetarët mirëpo meqë është situate siç është me pandemi, duhet respektuar dhe kësaj radhe duhet ta festojmë kështu secili në familjen e vet pa vizita pa ceremoni fetare e kështu me radhë…Nuk duhet të hapen Xhamitë, është vendim Bashkësisë Islame dhe i Ministrisë së Shëndetësisë prandaj duhet të respektohen këto sepse është në interes të qytetarëve”, deklaroi ai.

E Zymer Maxharri, thotë se ritet fetare mund të realizohen edhe nëpërmjet televizorit dhe mjeteve tjera teknologjike, andaj bën thirrje për respektim të këtij vendimi.

“Situata e bën të veten edhe të falurit, mund t’i bëjmë tash kemi mjete të sofistikuara, i pyesim njerëzit si je qysh je, si ata në Amerikë si këtë shokun që e kam një mur ndërmjet është njëjte…Qeto ritual mund t’i kryejmë edhe në shtëpi tek e fundit, tash me mjete me televizor”, thotë Maxharri

Kurse, Enver Fazliu, thotë se Ministria e Shëndetësisë këtë kohe pandemia, ka bërë shumë punë, e që sipas tij duhet vlerësuar.

“Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ne duhet me u ruajt për shëndetin tonë, miqve shokëve. Ne nuk jemi kompetentë për me vlerësu se a duhet me u hape a nuk duhet, Ministria e shëndetësisë ka bërë punë të madhe deri këtu, në fund mos të hupim lojën për 10 minuta…Absolutisht po, nuk do ja humbim mundin e tyre”, thotë Fazliu.

Kjo festë vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Postime të ngjajshme
Lajme

Kthimi në punë i drejtorëve të ndërmarrjeve publike: A do të rikthehet edhe kryeshefi i ‘Trepçës’

Lajme

Fillon faza e tretë e lehtësimit të masave ndaj koronavirusit

Lajme

Gjendet e pajetë një grua në fshatin Kreshovë

Lajme

Ja rregullat që duhet ndjekur gjatë kalimit të kufirit