Sport

Gardiani’ kosovar në Ukrainë po e pret ftesën e Bernard Challandesit

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

“Unë jam i bindur se Kosova ka potencial që në fund të sigurojë vizën për inkuadrim në Kampionatin Evropian. Sa i përket fatit tim te Kosova, kam informacione se selektori (Bernard Challandes) është duke i përcjellë ndeshjet e mija dhe besoj se së shpejti edhe unë do të jem pjesë e Kosovës”, ka thënë portieri i Olimpik Donetskit, Betim Halimi, në një intervistë për gazetën “Zëri”.

I lindur në Pozheran të Kosovës, portieri gjigant (2.04 m. i gjatë) Betim Halimi është duke i përjetuar hapat e parë të një aventure të madhe në karrierën e tij.

Ai nga ky edicion është pjesë e futbollit ukrainas, saktësisht te skuadra Olimpik Donetsk. Ukraina tashmë është e njoftuar për cilësitë e futbollistëve kosovarë, pasi më herët aty ishin yjet si Ismet Munishi, Shpëtim Babaj, Armend Dallku, Debatik Curri, Ahmed Januzi e Ardin Dallku, derisa së fundmi me shumë sukses është duke luajtur edhe ish-gardiani i Dritës, Betim Halimi.

22-vjeçari në një bisedë ekskluzive për gazetën “Zëri” ka rrëfyer momentet që po i kalon te skuadra Olimpik Donetsk, derisa ka folur edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, trajnerin Challandes, si dhe derbin e Anamoravës Gjilani – Drita, që luhet këtë të diel.

Ukraina, mundësi e mirë për të arritur në karrierë

Halimi tek Olimpik Donetski kaloi pas një aventure në Estoni, duke nënshkruar kontratë trevjeçare, aty ku po beson se do të mundë t’i shpalosë vlerat e veta para se të bëjë një tjetër hap të madh në karrierë.

“Niveli i futbollit në Ukrainë është shumë i lartë. Fillimisht më duhet të potencoj se infrastruktura është e nivelit evropian, skuadrat në përbërjet e tyre kanë lojtarë të klasit botëror, prandaj Kampionati në Ukrainë është në këtë nivel të lartë. Këtë e dëshmon edhe pozita e parë në grup e Ukrainës në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Unë jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Kampionatit në Ukrainë, respektivisht pjesë e skuadrës Olimpik, me të cilën po tregoj paraqitje shumë të mirë”, ka thënë Halimi të enjten.

Olimpik Donetksi nuk e ka nisur edhe aq mirë kampionatin, pasi në tetë ndeshjet kampionale ka pesë pikë dhe është e fundit në tabelë, por që këtë start Halimi e arsyeton me orarin shumë të vështirë që kishte.

“Synimet e skuadrës në Kampionatin e Ukrainës janë pjesa e epërme e tabelës, në fillim të Kampionatit kemi pasur sfida dhe rezultate jo të kënaqshme, por tani ekipi është stabilizuar dhe po kemi rezultate të mira e synojmë që këto rezultate t’i vazhdojmë me rezultate të mira dhe t’i arrijmë objektivat, të cilat klubi i ka parashikuar”, ka thënë Halimi.

“Challandes po më vëzhgon”

Halimi në të kaluarën ka qenë pjesë e grupmoshave të Përfaqësueses së Kosovës. Ai pret ftesë nga trajneri i Kosovës Bernard Challandes, i cili është duke ia dhënë rastin Arijanet Muriqit, Samir Ujkanit dhe Visar Bekajt.

Megjithatë, gardiani i ri po beson se shumë shpejt do ta ketë edhe rastin e vet, pasi Challandes është duke i vëzhguar ndeshjet e tij.

“Kam qenë pjesë e të gjitha grupmoshave në Përfaqësuesen e Kosovës dhe natyrisht që i përcjell të gjitha ndeshjet e Kosovës, ku ekipi po tregon nivel të lartë të prezantimit. Unë jam i bindur se Kosova ka potencial që në fund të sigurojmë vizën për inkuadrim në Kampionatin Evropian. Unë kam informacione se selektori i Kosovës është duke i përcjellë paraqitjet e mia dhe besoj se së shpejti edhe unë do të jem pjesë e Kosovës”, ka deklaruar Halimi.

Derbi Gjilani – Drita

Në fundjavë Superliga e Kosovës do ta përjetojë njërën nga ndeshjet më joshëse të futbollit, ku do të ndeshen Gjilani e Drita, dy rivalët më të mëdhenj në Kosovë.

Halimi në të kaluarën e ka përjetuar këtë derbi dhe natyrisht që edhe sot i mungon kjo ndeshje. Ai si një ish-futbollist i Dritës beson shumë se Drita do të jetë ajo që do të festojë në fund.

“Të jesh pjesë e derbit Drita – Gjilani është një emocion tejet i veçantë. Unë kam pasur fatin të jem pjesë e klubit futbollistik Drita dhe i kam përjetuar emocionet e derbit më të madh në Ballkan. Uroj që derbi të jetë një spektakël siç ka qenë çdoherë dhe sigurisht ia uroj ish-skuadrës sime Dritës fitoren në derbi”, ka përfunduar Betim Halimi.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
Sport

I mbajtur një vit në burgun serb pasi e ngatërruan me dikë tjetër, Petrit Dula pas lirimit rrëfen për periudhën e vështirë që kaloi

Sport

Gjilani kalon në epërsi ndaj Llapit

Sport

Shënon Llapi, e ngushton rezultatin

Sport

Duka më i votuari në UEFA, rizgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv