Lajme

Garanca që u injorua nga Apeli: Pse po dyshon Specialja në aftësitë e Policisë së Kosovës?

Paneli i Dhomave të Apelit që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale refuzoi të premten kërkesën e ish-krerëve të UÇK-së për mbrojtje në liri. Përveç tjerash, në rastin e Kadri Veselit, ish-kryetar i Kuvendit, Apeli nuk mori parasysh garancën e Policisë së Kosovës se e njëjta është në gjendje të monitorojë kushtet e lirimit të tij.

Ishte 8 janari i këtij viti kur drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i kishte dërguar letër garance ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, për mbrojtjen në liri të Kadri Veselit.

Në këtë letër, e cila iu bashkëngjit provave dhe kërkesës së avokatit Emmerson për lirimin e Veselit, Mehmeti shprehte qartë gatishmërinë e Policisë që të garantojë se do të zbatohen kushtet e vëna nga Gjykata për mbrojtjen në liri të njërit prej bashkëthemeluesve të UÇK-së.

“Unë konfirmoj, se Policia e Kosovës është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrimet ligjore sipas mandatit tonë dhe ka kapacitetet për të kryer ndonjë detyrë siç kërkohet nga Prokuroria ose Gjykatat (përfshirë ZPS-në ose KSK-në). Është pjesë e funksioneve tona të zakonshme të mbikëqyrim zbatimin e kushteve të vendosura për lirimin e përkohshëm të personave të akuzuar në pritje të gjykimit, madje edhe për veprat më të rënda, kur kjo urdhërohet nga një gjykatë në Kosovë, dhe ne e kryejmë këtë”, kishte shkruar Mehmeti në letrën e tij, e cila më pas i ishte përcjellë avokatit Emmerson nga ish-ministri Selimi.


Por, pavarësisht kësaj, Apeli i Speciales nuk e mori fort për bazë këtë garancë të Policisë.

Arsye parësore e pretendimit të Apelit të Speciales, është dyshimi që ka kjo e fundit në aftësinë e Policisë së Kosovës në monitorimin e komunikimeve që mund të çonin në pengim të drejtësisë.

Në këtë aspekt, Paneli i Apelit, ka thënë se garanca e dhënë nga Policia e Kosovës i përgjigjet më shumë eliminimit të rrezikut të ikjes, se sa rrezikut të ndërhyrjes në drejtësi.

“Paneli nuk konsideron që konstatimi i Gjyqtarit të Procedurës paraprake se kushtet e nevojshme për të zbutur rrezikun e pengesave të drejtësisë “nuk mund të zbatohen as të monitorohen” është në “kontradiktë të sheshtë” me garancinë nga Policia e Kosovës. Ndërsa deklarata e pakontestueshme e Policisë së Kosovës se ajo ka “të gjitha kapacitetet për të kryer ndonjë detyrë siç kërkohet nga Zyra e Prokurorit ose Gjykatat (përfshirë ZPS-në ose KSK-në) duket se tregon se Policia e Kosovës do të kishte aftësi për të monitoruar dhe zbatuar çdo kusht të imponuar, Paneli vëren se garancitë e tilla në të vërtetë janë të përqendruara në sigurimin e pranisë së të akuzuarit në procedurat penale dhe sigurimi që i akuzuari të mos ikë. Kjo mund të nxirret gjithashtu nga fakti se, kur kërkon garancinë nga Shefi i Shërbimit Policor të Kosovës, Mbrojtja i referohet posaçërisht aftësisë për të monitoruar kushtet për të lehtësuar rrezikun e fluturimit. Përveç kësaj, garancitë janë plotësisht të heshtura për çdo aftësi të Policisë së Kosovës për të adresuar rrezikun e pengesave, përfshirë përmes monitorimit të komunikimeve”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit e cila ia refuzoi ankesën Veselit.

Dyshime të tilla në aftësinë e Policisë së Kosovës duket se janë kontradiktore me veprimet në terren.

Kjo për faktin se një ndër parnterët kryesor i Speciales në realizimin e objektivave përbrenda territorit të Kosovës është pikërisht Policia.

Kjo e fundit madje ishte në asistencë të ZPS-së edhe në tri ditët e fundit në përcjellje të Kadri Veselit kur ky i fundit erdhi në Kosovë për ta vizituar babanë e tij i cili është shtrirë në spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Këtë madje e konfirmoi vet Gjykata Speciale në një përgjigje dhënë lajmi.net.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në mbajtje të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e dhënë për lajmi.net nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës.

Ndërkohë, në Kosovë ka pasur kritika të shumta ndaj kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani për heshtjen e tyre karshi kësaj situate.

Nga Presidenca e Kosovës i kanë thënë lajmi.net se pritet që për këtë çështje së shpejti të ketë një vendim, pasi që janë në konsultime e sipër.

“Nuk e di e shohim gjatë ditës jemi duke e shqyrtu, nuk kemi diçka konkrete por sapo që të kemi deri në fund të ditës besoj që e shohim”, ka thënë për lajmi.net këshilltari për media i Vjosa Osmanit, Bekim Kupina. /Lajmi.net/

Postime të ngjajshme
Lajme

Milaim Zeka: Tomë Gashi e rrah gruan e tij

Lajme

Moti në Kosovë – parashikimi për pesë ditët e ardhshme

Lajme

Kimete Berisha i reagon ashpër të riut që nuk i duket e plotë liria e Kosovës pa lirinë e Palestinës

Lajme

Policia ndalon garën me automjete në Orlloviq, tre të arrestuar