Sport

Fisnik Papuqi “var këpucët në gozhdë” dhe rrëfen çdo detaj të karrierës 20 vjeçare si futbollist!

Ka ardhur koha t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur, pasionit të cilin e shndërroi në profesion. Ndoshta është një ditë e vështirë, por asesi e mërzitur, pasi që çdo gjë i’a ka vlejtur. Fisnik Papuqi pas 20 viteve karrierë profesionale ka vendosur të ndalojë së shqelmuari topin e futbollit, por jo të ndahet nga ai, pasi që tashmë nis karrierën si trajner i tij.

Në një intervistë ekskluzive dhënë për Gazetën “Sheshi”, ikona e futbollit pejan konfirmon përfundimisht lamtumirën e tij si futbollist aktiv, derisa tregon mënyrën se si ka nisur gjithçka, si ka vazhduar dhe si ka përfunduar karriera e tij.

E nisi me Besën e Pejës për të vazhduar më pas me klube si Vëllaznimi, Hysi, Elbasani (Shqipëri), Jedinstvo Bijelo Polje (Mal të Zi) dhe Gjilani.

37 vjeçari ka lënë mbi supe qindra paraqitje në fushat e blerta, katër tituj kampioni, pesë trofe të Kupës dhe po aq të Superkupës.

Paraqitja me fanellën e Kosovës mbetet momenti kulmor i karrierës së tij, pengu për të debutuar në një ndeshje zyrtare kualifikuese me “Dardanët”, si dhe shumë gjëra që tjera, për të cilat do të mund të mësoni më shumë për figurën e njërit ndër mbrojtësve ikonik të futbollit kosovar.

Përse vendoset pikërisht tani të përfundoni karrierën tuaj si futbollist?
PAPUQI: “Karrierën vendosa ta mbylli këtu, pasi që e konsideroj si një cikël të mbyllur futbollin e luajtur, teksa jam fokusuar në zejen e trajnerit. Aktualisht kam pranuar pozitën e trajnerit ndihmës në ekipin e parë dhe jam trajner në grupmoshën e 17 vjeçarëve. Falenderoj presidentin e klubit Ylli Kullashi për besimin e shfaqur ndaj meje dhe mundësinë e ofruar”.

Si ka nisur i gjithë rrugëtimi i Fisnikut. Nga hapat e parë dhe deri te debutimi në ekipin e parë?
PAPUQI: “Pasioni im për futbollin ka filluar nga lagjja ku jam rritur. Së bashku me disa nga shokët e fëmijërisë vendosëm që të shkonim në Shkollën e Futbollit “Besa”, e cila ishte e vetmja në Pejë në atë kohë, ishin vitet e 90-ta. Nexhat Sadrija ishte trajneri im i parë në moshën 11 vjeçare edhe kur u inkuadrova zyrarisht në botën e futbollit.

“Karriera ime profesionale ka nisur nga viti 2001, teksa kam debutuar në ekipin e parë me trajnerin tashmë të ndjerë Tahir Vokshi dhe ndihmësin e tij Ekrem Berlajollin, të cilët më besuan dhe më inkuadruan në lojë”.

“Besa është shtëpia ime. Aty ku kam lindur, jam zhvilluar dhe jam krijuar si futbollist. Natyrisht se nuk do t’i harroj asnjëherë klubet e tjera në të cilat kam luajtur si Hysi, Vëllaznimi dhe Gjilani, pasi që më kanë pritur në mënyrë fantastike dhe kam kaluar një pjesë të mirë të karrierës time, duke e mbushur atë edhe me trofe”.

Cili ka qenë trajneri më i mirë me të cilin keni punuar?
PAPUQI: “Kam kaluar në duar të shumë trajnerëve dhe sinqerisht nuk do të doja të bëja ndonjë ndarje. U jam mirënjohës secilit prej tyre, një e nga një, për çdo gjë që më kanë mësuar sepse po të mos ishin ata nuk do të isha ky që jam sot”.

Cilët kanë qenë kundërshtarët më të vështirë për t’u ruajtur në karrierën tënde?
PAPUQI: “Futbolli i Kosovës nuk është i lehtë për t’u luajtur. Kam kaluar nëpër etapa të ndryshme të karrierës dhe futbollit në vend dhe gjithmonë ka patur futbollistë cilësorë, duke nisur që nga vitet e para të pasluftës. Ndjehem me fat që në skuadër kam patur futbollistë si Haxhi Zeka, Mensur Duraku, Fetim Kasapi, Ndrec Komani, Ilir Nallbani, Dukagjin Gashi dhe të tjerë, prandaj nuk kam luajtur shpesh ndaj më të mirëve, sepse më të mirët i kam patur në ekip (qeshet)”.

Sinqerisht, futbolli në Kosovë ka prodhuar shumë futbollistë cilësorë dhe kam patur në vazhdimësi kundërshtarë të vështirë për t’i ruajtur, por do ti veçoja emrat si Elvis Osmani, Uliks Emra, Enis Fetahu, Sheremet Isufi, Malsor Gjonbalaj, Shpëtim Idrizi, Kastriot Rexha, Mentor Zhdrella, Xhevdet Shabani, Faton Zejnullahu e Isufi Llumnica. Ka patur edhe kundërshtarë të tjerë të vështirë që ndoshta nuk po më kujtohen, por e thash edhe më parë që futbolli kosovar ka prodhuar futbollistë shumë cilësor dhe për fatin jo të mirë, shumë prej tyre nuk e kanë arritur periudhën e anëtarësimit të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, pasi që jam i bindur që shumë prej tyre do ta vazhdonin karrierën në Evropë”.

Gjatë karrierës tuaj profesionale keni luajtur për shumë klube, cilat eksperienca do t’i mbani mend gjatë në kujtesën tuaj?
PAPUQI: “Eksperienca ime më e mirë ishte ajo me gjeneratën e artë të Besës së Pejës, me ç’rast fituam tri tituj radhazi kampioni, diçka a paarritur më parë në futbollin kosovar. Do ta veçoja gjithashtu titullin kampion me Hysin dhe Kupën e Kosovës me Vëllaznimin, pasi që ai është trofeu i vetëm pasluftës që e ka fituar Vëllaznimi dhe për mu kjo ishte një ndjesi e veçantë. Mikëpritja fantastike në qytetin e Gjakovës për dy vite e gjysmë më ka lënë mbresa shumë të mëdha dhe të paharruara në kujtesën time”.

 

“Një mikëpritje fantastike kam pranuar edhe te Gjilani dhe ndoshta një peng i madh në karrierën time do të mbetet që nuk arrita të fitoj ndonjë trofe me atë skuadër. Është një klub fantastik dhe me tifozëri të jashtëzakonshme, prandaj do të mbetet si një peng i së ardhmes, ndoshta mund ta bëj si trajner nuk i dihet asnjëherë (qeshet)”.

Ndeshjen të cilën nuk do ta harrosh asnjëherë?
PAPUQI: “Ndeshja ndaj Trepçës ’89 me Besën e Pejës kur e fitojmë titullin e parë kampion në vitin 2005 do të mbetet gjatë ne memorjen time, ashtu sikurse edhe fitorja me Kombëtaren e Kosovës ndaj Arabisë Saudite. Një ndeshje tjetër që do ta mbajë mend gjatë është edhe ajo ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për nder të 28 nëntorit, njësoj sikurse do ta mbaj mend gjatë ndeshjen e parë derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës”.

Pengu më i madh i karrierës?
PAPUQI: “Pengu më i madh i karrierës time do të mbetet mos debutimi në një ndeshje zyrtare kualifikuese për Kosovën, pasi që më të vërtetë është një ndjenjë fantastike të luash për vendin tënd”.

Si kanë qenë raportet tuaj me gjyqtarët, pasi që shpesh jeni ndëshkuar me karton të verdhë dhe të kuq, kuptohet kjo edhe për shkak të rolit si mbrojtës që keni patur?
PAPUQI: “Nuk kam patur asnjëherë asgjë personale me gjyqtarët edhe pse në momente të caktuara të lojës mund të kemi patur kundërshtime. Nëse dikush është ndjerë i prekur nga sjelljet e mia ose reagimet ju kërkoj falje sinqerisht”.

Momenti më i hidhur i karrierës?
PAPUQI: “Lëndimi i njëri nga shokët më të mirë Valmir Bytyqi ka qenë njëri ndër momentet më të hidhura në karrierën time si futbollist dhe ky tani që po e lë futbollin (qeshet).

Keni luajtur edhe ndaj vëllaut tuaj Florentit, cilat kanë qenë raportet në fushën e lojës?
PAPUQI: “Jam një tip që edhe ndaj djalit tim kam dëshirë ta jap maksimumin se lëre më ndaj vllaut, të cilin nuk e kam shikuar si familjarë asnjëherë në fushën e lojës (qeshet)”.

Po e ardhmja e fëmijëve tuaj, do vazhdoni t’i mbani të lidhur me futbollin?
PAPUQI: “Unë kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Djali im i madh Erisi ka filluar të merret me futboll qysh në moshën 6 vjeçare dhe do Zoti që të ketë shëndet në radhë të parë dhe të vazhdojë karrierën si futbollist. Djali i dytë është vetëm tetë mujsh dhe shpresoj gjithashtu të ketë fatin dhe të ketë një karrierë prej një futbollisti. Vajza është tetë vjeçare dhe nuk ka shfaqur ndonjë interesim deri më tani për sportin, por e rëndësishme është të kenë shëndetin dhe pastaj vijnë gjërat tjera”.

Rrugëtimi 20 vjeçar në futbollin profesionist natyrisht se ka edhe disa emra që kanë qëndruar prapa jush?
PAPUQI: “Kam shumë persona për t’i falenderuar në këtë rrugëtim 20 vjeçar në futbollin profesionist, por po e nis me gruan time Adisën, të cilën e kam njoftuar gjatë kohës sa luaja futboll në Mal të Zi te Jedinstvo Bijelo Polje. Do të thotë që ja kam parë hajrin futbollin (qeshet). Jam shumë mirënjohës asaj dhe familjes time që më kanë qëndruar pranë në çdo moment, të mirë dhe të keq në karrierën time. Faleminderit të gjithë drejtuesve të klubeve ku kam luajtur, trajnerëve, bashkëlojtarëve, ekonomëve në klubet ku kam luajtur, grupet e tifozëve, gjyqtarët, drejtuesit e federatës dhe gjithë të tjerët që më kanë qëndruar prapa gjatë këtyre viteve. Thjesht faleminderit pafundësisht”.

Për shumë futbollist të rinj të cilët mund ta lexojnë këtë intervistë, cili është mesazhi juaj?
PAPUQI: “Për gjithë futbollistët e rinj: Vazhdoni ndjekne rrugën tuaj, asnjëherë mos u dorëzoni. Bëjeni më të mirën e mundshme, sikurse në stërvitje, po ashtu edhe në lojë sepse të ardhmes asnjëherë nuk i dihet”.

Postime të ngjajshme
Sport

Rezultatet e dy ndeshjeve të stinorit vjeshtor mes Prishtinës dhe Llapit

Sport

FC Prishtina – Llapi: Forma e skuadrave në pesë ndeshjet e fundit dhe përballjet direkte

Sport

Shtatë takime në Ligën e Parë: “Nxehtë” në Klinë, spikat derbi në Prizren

Sport

Rrëfimi prekës i futbollistit të Prishtinës, Muça mposhti kancerin dhe iu kthye fushës