Sport

Fillimi i mbarë i trajnerëve vendorë karshi trajnerëve të shumtë të ardhur

-ADVERTISEMENT-
-Advertisement-

Derisa shumë klube elitare po shpenzojnë shuma të mëdha parash në trajnerë që po i sjellin nga shtetet tjera për t’i drejtuar në kampionatin kosovar, Trepça ’89 dhe Ballkani, duket të kenë gjetur formula tjera të suksesshme.

Të dyja këto klube vendosën ta fillojnë kampionatin me trajnerë vendorë dhe për fillim gjithçka po u shkon mirë. Edhe pse kampionati veç sa ka filluar, të dyja këto skuadra i ndajnë dy pozitat e para me nga katër pikë të fituara prej dy xhirove të para të zhvilluara.

Klubi nga Mitrovicas para fillimit të kampionatit kishte marrë vendim të guximshëm duke ia besuar postin e trajnerit ish futbollistët të njohur të tij, Shpëtim Idrizit.

Për Idrizin kjo është hera e parë që po e drejton një skuadër, madje në IPKO Superligë. Dhe, aventurën e ka nisur më mirë sesa trajnerë tjerë shumë më të shtrenjtë.

Nën “regjinë” e Idrizit, 89-shi fillimisht e kishte mposhtur në “Riza Lushta” Gjilanin e shtrenjtë (4:1), kurse të dielën e nxori një pikë të madhe nga Vushtrria e vështirë (1:1).

Kështu, 89-shi tani po e kryeson kampionatin problematik, prej të cilit sivjet do të bien katër klube. Madje, e ka një gol-dallim pozitiv prej 5:2.

Gjithsesi, kjo e bënë të lumtur 89-shin dhe vet Idrizin, për të cilin rëndësi edhe më të madhe ka përparimi i skuadrës, e cila në sezonin e kaluar humbi në finale të Kupës dhe u rreziku me rënie nga IPKO Superliga.

“E rëndësishme është se ekipi jonë është duke u rritur dhe kjo na gëzon për vazhdim tutje”, ka deklaruar Idrizi.

Sikurse Idrizi, mjaft mirë ka startuar edhe trajneri tjetër i njohur kosovar, Ismet Munishi, i cili me Ballkanin i ka mbledhur katër pikë nga dy ndeshjet e para.

Fillimisht kishte luajtur baras në Dukagjin (0:0), e së fundmi Munishi me lojtarët e tij e bënë mrekullinë duke e mposhtur kampionin në fuqi, Feronikelin (3:1), i cili konsiderohet si favoriti kryesor edhe sivjet për titullin e kampionit.

Ekipi i Munishit e ka dominuar lojën përballë klubit nga Drenasi, i cili para pak javësh angazhoi trajner të shtrenjtë, duke e sjell në Kosovë malazezin, Dejan Vukiçeviç.

Përkundër fitores dhe faktit që Munishi njihet si një përkrahës i madh i “prodhimit vendor”, pas fitores ndaj Feronikelit shprehu konsideratë për malazezin e ish ekipit të tij.

“Futbolli i bashkon njerëzit . Futbolli i bashkon popujt. Trajneri i Feronikelit një zotëri i vërtet . Nuk e meriton sulmin qe po e bëjnë disa media sepse ka vetëm 2 jave në Kosovë. Respekt për trajnerin Dejan Vukiçeviç, do të jetë vlerë e shtuar me bagazhin e tij dhe eksperiencën e tij në futbollin ton”, ka thënë Munishi, i cili është njëri prej trajnerëve më aktiv në kampionatin kosovar, ku ka fituar edhe titull të kampionit, përpos disa sukseseve tjera që i ka regjistruar.

-Advertisement-
Postime të ngjajshme
Sport

I mbajtur një vit në burgun serb pasi e ngatërruan me dikë tjetër, Petrit Dula pas lirimit rrëfen për periudhën e vështirë që kaloi

Sport

Gjilani kalon në epërsi ndaj Llapit

Sport

Shënon Llapi, e ngushton rezultatin

Sport

Duka më i votuari në UEFA, rizgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv