Sport

Ferencvaroshi, “pengesë” e vështirë për Prishtinën, thonë ish-lojtarët

FC Prishtina është duke kryer përgatitjet e fundit në prag të sfidës së raundit të parë në kualifikime për Ligën e Kampionëve. Kampionët e Kosovës krahas dy ndeshjeve të lehta në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve, në raundin e parë i pret një kundërshtar tejet i vështirë.

Ferencvaroshi, kampionët e shumëfishtë hungarezë do të jetë ata që do sfidojnë skuadrën nga kryeqyteti i Kosovës. Ky duel historik për “bardhekaltrit” shihet si i vështirë, të paktën në “letër” nga dy ish-futbollistët e Prishtinës.

Taulant Dajaku dhe Kushtrim Mushica për Demokracia.com kanë komentuar këtë duel, duke e cilësuar si të vështirë për skuadrën e drejtuar nga tekniku shkupjan, Zekirija Ramadani.

Ish-mesfushori i mirënjohur kosovar, Taulant Dajaku vlerëson se Prishtina këtë duel duhet t’iu jep hapësira ‘diamantëve’ të ekipit në mënyrë që të tregojnë aftësitë e tyre, ngase sipas tij gjasat për kualifikim tutje janë minimale.

“Do të jetë ndeshje e vështirë shumë për të arritur ndonjë rezultat për të vazhduar tutje. Shorti ka qene i pafat sepse diferencat mes ekipeve janë enorme të largëta, kështuqë gjykojë se kjo ndeshje duhet t’i shërbej Prishtinës për t’i vendosur në rend të parë ‘diamantët’ e ekipit që ka, në mënyrë që të shihen në prozhektoret ndërkombëtare asetet premtuese të klubit të Prishtinës, pastaj do ketë një rast tjetër edhe në ndeshjet e ardhshme evropiane (Ligën e Konferencës)”, tha Dajaku të hënën për Demokracia.com.

Ish-portieri i klubit më të trofeshëm kosovar, Kushtrim Mushica gjithashtu e ka vlerësuar se ekipin hungarez e favorizon karshi Prishtinës përvoja e treguar në vitet e fundit.

Megjithatë, ish-numri një i portës prishtinase thotë se befasitë mund të ndodhin në futboll.

“Prishtina në pjesmarrjen e parë në Ligën e Kampionëve ka arritur me sukses kualifikimin nga raundi preliminar. Kjo më bën të besoj se ekipet kampione të Kosovës duhet të kalojnë direkt në kualifikime. Ndeshja e radhës përball Ferncvaroshit do të jetë e vështirë për Prishtinën. Përvoja e klubit hungarez por edhe ajo çka ka treguar viteve të fundit e bën favorite përball Prishtinës. Në futboll befasitë janë evidente dhe për këtë shpresojmë edhe ne. Prishtina ka treguar ngritje në cilësi këtë vit dhe nese janë në element në ndeshjen e parë mund të na sjellin emocione për ndeshjen e kthimit e ku pastaj do të ishte e hapur edhe një shans për kualfikim. Uroj te na përfaqësojnë sa më mirë”, shprehet Kushtrim Mushica.

Kujtojmë se pjesë e ekipit hungarez është edhe sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni.

FC Prishtina në ndeshjen e parë të fazës preliminare mposhti kampionët e San Marinos, Folgorenin me shifrat 0-2, ndërkaq me rezultat të njëjtë triumfuan edhe ndaj Inter D’Escaldesit për të arritur në këtë fazë.

Ferencvarosh – Prishtina luhet të martën me fillim nga ora 18:00 në “Groupama Arena” në Budapest.

Postime të ngjajshme
Sport

Eksperti i jep shpresë Eriksenit: Mund të luajë me një kusht

Sport

Astrit Selmani, i pari që e realizon “hat-trick” në Conference Leauge

Sport

“Bombardon” përsëri Muriqi, realizon gol të bukur në miqësore me Lazion

Sport

EKSKLUZIVE: Agon Llugiqi bëhet me ekip të ri