
Valës së largimeve te FC Vushtrria nuk ka mundur ti shpëtojë as Etrit Halimi, i cili që nga fillimi i karrierës ishte pjesë e vazhdueshme e klubit nga “Ferki Aliu”.
Një ndarje e hidhur, por e detyruar për mbrojtësin e krahut të djathtë, i cili ka vendosur të ndahet me klubin e fëmijërisë.
Në një prononcim për Gazetën “SHESHI” ai e zbuloi këtë informacion, derisa foli edhe për ofertat që kanë ardhur tashmë në drejtim të tij.
“Megjithëse ishte e vështirë për mua të ndahem me skuadrën e fëmijërisë u detyrova ta bëjë një gjë të tillë, pasi që rrethanat u bënë shumë të vështira”, deklaroi fillimisht Halimit.
“Menaxheri im më ka njoftuar se ka ardhur një ofertë nga Superliga e Kosovës dhe një tjetër nga ajo e Shqipërisë. Gjatë ditëve në vijim do të vendosi për fatin tim”, përfundoi Halimi.
Numri i futbollistëve të cilët kanë njoftuar largimin nga Vushtrria është shumë i madh.
Dior Zabërgja, Alush Gavazaj, Qëndrim Gashi, Petrit Tahiri, Bashkim Shala, Ismet Caka, Bajram Zuqaku Klevis Lushaku, Ledjon Mucaj, Jasmin Raboshta, Ian Agusto, Ygor Vinicius, Matheus De Paula, Kujtim Pantina, Rinor Karaqa, Etrit Halimi dhe Duat Maxhuni janë futbollistët që i kanë dhënë fund bashkëpunimit me ish-kampionët e vendit.