Sport

Erdhën me bujë e morën paga të majme: Formacioni me transferimet që dështuan në vjeshtë

Klubet elitare të futbollit vendor hapën kuletën dhe shpenzuan shuma të majme parash, shpeshherë edhe të pakontrolluara, në afatin kalimtar të verës me shpresën që transferimet do të shpaguajnë veten dhe do t’i ndihmojnë ato në arritjen e objektivave.

Mirëpo, disa prej përforcimeve që erdhën me shumë bujë e që siguruan paga të mëdha në Superligë, nuk arritën t’i përmbushin as për së afërmi pritshmëritë.

Gazeta Olle ka përpiluar formacionin me 11 transferimet që kanë zhgënjyer në stinorin vjeshtor të këtij edicioni, duke u bazuar në disa kritere.

IVAN JELIC

Nëse nuk iu kujtohet, nuk keni faj. Mbrojti vetëm një herë, në atë ndeshje bëri gafë dhe Prishtina u mposht (nga Drenica 1:0).

Bardhekaltërit ndanë rrugët me gardianin shumë më shpejtë se që pritej.

Portieri kroat Ivan Jelic duhet ta harrojë sa më shpejtë eksperiencën në kryeqytetin kosovar.

Vetëm një dështim si ky i Jelic mund të “shpëtojë” Kenan Haxhihamzën e Ballkanit pa u futur në këtë formacion, i cili po ashtu deri më tani ka pasur një stinor për t’u harruar, duke mbetur edhe si zëvendësues i Armend Rugjit.

BAJRAM JASHANICA

Ballkani e bëri mbrojtësin më të shtrenjtë të futbollit kosovar.

Vinte nën petkun e super-eksperiencës evropiane me Skendërbeun. Rezultati? Dobët. Shumë dobët.

Jashanica nuk arriti as të siguronte pozitën e titullarit në mbrojtjen e Ballkanit, e cila nëse iu referohemi statistikave ishte një prej më të dobëtave në pranverë, duke pësuar 25 gola në 18 ndeshje. Shumë për një skuadër që do titullin.

GENTJAN MUÇA

Ku është ai kapiteni motivator dhe i pakalueshëm që e shihnim te Tirana? Absolutisht as hija e tij nën fanellën e Prishtinës.

U projektua si titullar i padiskutueshëm, por përfundoi në stol. Gjatë stinorit vjeshtor ka bërë vetëm gjashtë paraqitje.

Me gjasë ambientimi i tij në futbollin kosovar kërkon më shumë kohë se që pritej.

ALBAN PNISHI

“Feronikeli transferon mbrojtësin e Kosovës”. Mbase edhe me të drejtë, klubi nga Drenasi i dha jehonë të madhe transferimit të Pnishit, i cili vinte me një eksperiencë ndërkombëtare mbi supe.

Mirëpo, aventura e tij në Superligë po del të jetë për t’u harruar.

Ai ka bërë vetëm katër paraqitje te Feronikeli, duke mos arritur t’i shfaqë për asnjë moment vlerat e tij. Besojmë që s’do koment më shumë.

TOMISLAV SORSA

Pas transferimit të tij nga Osijeku i Kroacisë, Gjilani mendoi që i mbylli llogaritë për krahun e djathtë të mbrojtjes.

Në fakt, ashtu doli të jetë vetëm për tri ndeshje prej gjithë stinorit vjeshtor!

Sorsa ka dështuar totalisht në këtë gjysmë-sezon, duke bërë vetëm tri paraqitje nën fanellën bardhekuq.

Një prej gabimeve të shumta që ka bërë Gjilani në afatin kalimtar.

SABIEN LILAJ

Një prej transferimeve më të bujshme të futbollit kosovar në vitet e fundit. Ish-kapiteni i Skënderbeut dhe ish-anëtari i Kombëtares së Shqipërisë, ‘zbarkoi’ në “Fadil Vokrri” duke u bërë një prej futbollistëve më të paguar të Superligës në periudhën e pasflutës.

Mirëpo, paraqitjet e tij me bardhekaltërit ishin shumë të zbehta.

Prishtina nuk e gjeti te Lilaj liderin e skuadrës dhe motorrin e pandalshëm të mesfushës. Vjeshta ishte një zhgënjim i thellë.

Për këtë, Prishtina duhet t’ia drejtojë gishtin edhe vetes, sepse transferimin më të madh e bëri pikërisht në pozitën ku zbuloi sensacionin e edicionit të kaluar – Qëndrim Zybën.

ARBËR ÇYRBJA

Kësaj përzgjedhje s’mund t’i shpëtojë assesi as mesfushori nga Shijaku i Shqipërisë, për të cilin insistoi shumë ish-trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani.

Në fakt, Çyrbja vinte pas një përvoje për t’u vlerësuar në Shqipëri, ku ishte pjesë e skuadrave si Kukësi e Teuta në vitet e fundit.

Mirëpo, ai zhgënjeu duke bërë vetëm shtatë paraqitje në vjeshtë. Impakti i tij në mesfushën e Gjilanit ishte thuajse zero.

ARMIN BOSNJAK

“Suksesin” e tij te Ballkani e dëshmojnë dy fakte: Bëri vetëm dy paraqitje në vjeshtë, u largua nga skuadra menjëherë pas përfundimit të këtij stinori.

26-vjeçari nga Mali i Zi nuk arriti t’i përmbushë pritshmëritë e klubit nga Suhareka, duke u futur mes transferimeve më të dështuara që kanë bërë portokallezinjtë.

Ai u paraqit për disa minuta vetëm në ndeshjet ndaj Besës në kampionat dhe Dardanës në Kupën e Kosovës.

FESTIM ALIDEMA

Ku është Alidema i driblimeve të panumërta dhe golave të bukur te Llapi? I ka lënë vlerat e tij në Kroaci, apo në “Zahir Pajaziti”?

Përshtatja në skemat e trajnerit Ardian Nuhiu te Drita po del të jetë një sfidë e vështirë për anësorin e talentuar.

Ai nuk ka arritur të zë as pozitën e titullarit te kampionët e Kosovës. Në vjeshtë ka bërë shtatë paraqitje, shumicën e tyre si zëvendësues, duke mos e shënuar asnjë gol.

Në këtë pozitë mund të ishte fare lehtë edhe Enis Gavazaj i Prishtinës, por ai u penalizua nga dëmtimet më shumë.

BEDRI GRECA

E filloi edicionin me het-trik ndaj Gjilanit, por në pjesën e mbetur të sezonit u përmend vetëm për incidentin fizik brenda skuadrës dhe suspendimin nga klubi.

Përleshja me ekonomin e klubit, që solli përjashtimin nga skuadra e parë, vulosi dështimin e tiranasit në këtë stinor te Feronikeli.

Ditët në Drenas mund t’i ketë të numëruara.

GRAMOZ KURTAJ

Erdhi vonë, shkoi herët. Gjilanit i takojnë “meritat” edhe për një tjetër transferim të dështuar në vjeshtë.

Gramoz Kurtaj bëri vetëm tetë paraqitje me bardhekuqët, ku realizoi një gol.

Ai u largua nga Gjilani para përfundimit të stinorit vjeshtor, për t’u kthyer në Gjermani. Nuk la gjurmë.

Më poshtë formacioni i transferimeve që zhgënjyen me paraqitjet e tyre në stinorin vjeshtor të Superligës, ani pse erdhën me bujë të madhe.

Prishtina e Gjilani kanë më së shumti futbollistë, nga tre, më pas vijnë Ballkani e Feronikeli me nga dy si dhe Drita me një.

Postime të ngjajshme
Sport

Armando Broja gjen sërish golin

Sport

Vendoset se në sa shtete do të luhen ndeshjet e Euro2021

Sport

Ibrahim Dreshaj tregon klasin e tij, asiston në golin e dytë të Heerenveeen ndaj Feyenordit

Sport

Burreli i Samuel Nikajt triumfon pastër ndaj 2 Korrikut në Durrës