
Edhe një vendim tjetër e ka marrë qeveria në dorëheqje. Ministri në dorëheqje i Tregtisë, Endrit Shala, vendosi taksë ndaj disa produkteve të Maqedonisë së Veriut.
Disa ditë para këtij vendimi, edhe Ministria e Drejtësisë vazhdoi me fazën e re të përzgjedhjes së noterëve. Këto vendime, nga ana e Institutit të Kosovës për Drejtësi, po shihen si vendime të paligjshme, marrë parasysh se qeveria është në dorëheqje.
Ehat Miftari thotë se këto vendime nga këta ministra, po bëhen veç për të bërë fushatë. Sipas tij, këto po lejohen për shkak se nuk ekziston legjislacion i caktuar që mund të tregojë se si të veprojë qeveria kur është në largim. Miftari shton se këto vendime dhe të tjera të ngjashme duhet të kthehen në pikën zero.
Ndaj vendimit të Ministrisë së Tregtisë së Kosovës, ka reaguar edhe ministri i Bujqësisë i Maqedonisë së Veriut, Trajan Dimovski. Ai ka thënë se ndalimi i importit të rasatit të peshqve nga Kosova, nuk paraqet ndalesë të posaçme vetëm për Kosovën. /KTV/