
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sot ka qëndruar në Rahovec.
“Jam i bindur se në Rahovec e gjejmë një model të njerëzve që punojnë dhe me punën e tyre kanë krijuar këto vlera dhe institucionet e Kosovës, edhe në të ardhmen duhet t’i përkrahin njerëzit e suksesshëm të Rahovecit”, kështu tha kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes së tij në hapjen zyrtare të festës së rrushit “HardhFest”.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se, është mirë që fokusimi të mbetet te politikat fiskale, lirimet tatimore, përkrahja e fermerëve, vreshtarëve, pemëtarëve, për arsye se vetvetiu do të ketë më shumë rezultate.
Haradinaj, tha gjithashtu se duhet eliminuar mangësitë që ekzistojnë në shoqëri, korrupsionin dhe të jenë të sinqertë dhe real në përballje me të.
“Jam i bindur se në Rahovec e gjejmë një model të njerëzve që punojnë dhe me punën e tyre kanë krijuar këto vlera dhe institucionet e Kosovës, edhe në të ardhmen duhet t’i përkrahin njerëzit e suksesshëm të Rahovecit”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se, kjo festë ofron për fermerët, vreshtarët, artistët, rininë, njerëzit e këtyre zonave dhe të gjitha palët e interesit, që të bëhen më aktivë në jetën shoqërore dhe kulturore.
“Gjatë këtyre ditëve, Rahoveci dhe njerëzit e tij hapin dyert dhe zemrat , duke shfaqur bujarinë, krenarinë dhe përkushtimin e tyre për festën”, tha kryetari Latifi.
Në këtë festë, nga një fjalë rasti mbajtën edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Poashtu, në këtë festë të rrushit, është bërë shpallja e vreshtarëve dhe verëtarëve më të mirë, si dhe u bë hapja e panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë.
Festa e vjeljes së rrushit organizohet që nga viti 2001 dhe tani është shndërruar në festë nacionale të të gjithë qytetarëve të Kosovës. /Lajmi.net/