Sport

Drenica, liderja e re e Superligës: Tahir Lushtaku synon daljen në garat evropiane me skuadrën nga Skënderaj

Nga një skuadër që luftonte për mbijetesë me “mish e shpirt” edicionin e kaluar, sivjet gjërat kanë marrë krejtësisht kah të kundërt te skuadra e Drenicës, raporton FrontOnline.

Skuadra nga Skënderaj me rikthimin e trajnerit të njohur, Tahir Lushtaku, e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e ri në Superligën e Kosovës.

Pas katër javësh, Drenica ka regjistruar tri fitore dhe një barazim duke zënë vendin e parë në renditjen tabelore me dhjetë pikë të tubuara.

Trajneri i skuadrës, Tahir Lushtaku, i cili e njeh më mirë se kushdo tjetër mentalitetin e Drenicës, në një bisedë me FrontOnline ka zbuluar se çfarë ka ndryshuar te skuadra e tij këtë edicion.

Ai thotë se është bërë punë e madhe, derisa tregon se atmosfera dhe harmonia te Drenica është nivelin më të lartë të mundshëm.

“Sa i përket kampionatit të kaluar, nuk dua të kthehem mbrapa. Ne nga dita e parë mendojmë vetëm përpara, ndryshimet që kanë ndodhur, duke nisur nga kryesia, shtabi teknik, drejtori sportiv, grupi i futbollistëve, kemi arritur që bashkarisht ta rikthejmë karakterin dhe mentalitetin fitues në skuadër”, ka thënë fillimisht trajneri drenicas duke vazhduar:

“Nuk ka qenë e lehtë, por me një punë dhe përkushtim të madh nga të gjithë pa dallim, ia kemi dalur dhe po besoj se edhe pse është vetëm fillimi, jemi në rrugë të mirë për ta dërguar skuadrën përpara, ku atmosfera dhe harmonia është në nivelin më të lartë”.

Pas fitores ndaj Ulpianës 0:1 në mesjavë, Drenicën e pret një ndeshje tejet e vështirë me Dritën e Gjilanit në stadiumin “Bajram Aliu”, ndeshje nga e cila Lushtaku ka vetëm një qëllim – tre pikëshin.

“Ne do t’i bëjmë përgatitjet si në çdo ndeshje, kur dihet se i kemi marrë ndeshjet një nga një. E dimë se kemi një skuadër të fortë para vetes, do të jetë e vështirë, por kam besim të plotë te të gjithë futbollistët që do të paraqiten në këtë ndeshje. Ashtu siç kemi funksionuar në këto katër xhiro të bashkuar dhe jemi lider në tabelë, mendoj se edhe këtë sfidë do ta kalojmë dhe t’i arkëtojmë pikët e plota dhe të vazhdojmë me këmbë në tokë”, theksoi Lushtaku.

Për fund, sa i përket synimeve të skuadrës, Lushtaku thotë se Drenica synon daljen në garat evropiane, ani pse është i vetëdijshëm se do të jetë e vështirë.

“Synimet do të vijnë vetëvetiu, nëse vazhdojmë kështu të arrijmë suksese nga ndeshja në ndeshje. Synim do ta kemi daljen në Evropë përmesit ndonjërit nga vendet që dërgon në Evropë – kampionat ose kupë. Do të jetë e vështirë, por besoj se me angazhim, disiplinë dhe punë të madhe do ta arrijmë këtë”, përfundoi të premten për FrontOnline Tahir Lushtaku.

Ndryshe, ndeshja Drenica – Drita zhvillohet të dielën në stadiumin “Bajram Aliu” me fillim nga ora 16:00.

Postime të ngjajshme
Sport

Zhegrova reagon pasi i siguroi fitoren Baselit me supergol në “frymën e fundit”

Sport

Prishtina 1-2 Llapi, golat dhe rastet nga ndeshja e zhvilluar sot në ''Fadil Vokrri''

Sport

Golashënuesit më të mirë pas fazës së parë në Superligë

Sport

Broja bën heroin, sulmuesi shqiptar ia siguron fitoren e parë Southamptonit