Lajme

Diskutohet rreth të drejtave të Konventës të prekura nga pandemia

Forumi i shtatë rajonal i Sundimit të Ligjit për Evropën Juglindore për Ndikimin e Pandemisë mbi të Drejtat e Njeriut, i cili do të organizohet më 16 dhe 17 tetor, do të mbledhë së bashku përfaqësues të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Këshillit të Evropës dhe institucioneve gjyqësore të shtatë vendeve të Evropës Juglindore, të cilët do të diskutojnë rreth pandemisë COVID-19 dhe të drejtave të mbrojtura me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pandemia COVID-19 është një nga krizat më të mëdha globale që nga Lufta e Dytë Botërore. Qeveritë në mbarë botën u detyruan të marrin masa për të kufizuar rreziqet mbi jetën dhe shëndetin e njerëzve. Megjithatë, mbyllja e gjykatave, shkollave, institucioneve fetare dhe mjediseve të kateringut ngriti çështje në lidhje me të drejtën për gjykim të drejtë, arsimim, lirinë e fesë dhe gëzimin paqësor të pronave, ndërsa kufizimet e lëvizjes dhe mbledhjes ndërhynë në të drejtat e lirisë të lëvizjes, shprehjes, mbledhjes dhe zgjedhjeve të lira. Forumi do t’u japë profesionistëve më të shquar evropianë të së drejtës mundësinë për të diskutuar kërcënimet ndaj të drejtave të njeriut të shfaqura gjatë pandemisë dhe për të ofruar zgjidhje për këto sfida.

Forumi organizohet nga Programi i Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor dhe Civil Rights Defenders, me mbështetjen e Qeverisë së Britanisë së Madhe, Qeverisë së Suedisë, Fondacionit Konrad Adenauer dhe Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Holandës.

Në konferencën qendrore, e cila do të mbahet në Strasburg, do të marrë pjesë Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Robert Spano, gjykatës dhe ish-gjykatës të kësaj Gjykate dhe Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq.

Pjesëmarrësit në pesë sesionet e forumit do të kenë mundësi të diskutojnë rreth të drejtave të Konventës të prekura nga pandemia, mbrojtjes së këtyre të drejtave dhe rreth situatës në Ballkanin Perëndimor.

Postime të ngjajshme
Lajme

Si duhet të veprojnë pacientët me diabet në kohë virusi?

Lajme

Dumoshi e quan vendim historik aprovimin e tarifave për kompensimin e krijuesve dhe autorëve

Lajme

10 euro taksë për të hyrë në Prishtinë me veturë nga qytetet e tjera

Lajme

Lutfi Haziri nervozohet me Shpend Ahmetin: Kanë me e pagu 10-fish ma shtrenjtë kalimin në Gjilan