Lajme

Deri në burgim të përjetshëm – këto janë dënimet për personat që nisin zjarrin në Kosovë

Ditëve të fundit në Kosovë, Shqipëri dhe në të gjithë Europën janë përhapur zjarre të mëdha që kanë rrezikuar qindra-mijëra qytetarë, prona publike e private, shkruan Gazeta Metro.

Në Kosovë zjarre pati në pjesë të ndryshme të Kosovës, duke filluar nga malet e Rugovës që përfshijnë Parkun Nacional, e për të vazhduar me qytete të ndryshme si Suhareka, Mitrovica, Prizreni dhe të tjera.

Por, sa dënohet personi i cili vë zjarr? Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që ndez zjarrin dhe shkakton dëmtim të pasurisë së një personi tjetër dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 3 vjet, ndërsa nëse zjarri dëmton banesën e banuar ose veturën, dënohet prej 1 deri në 4 vjet burgim.

“1. Kushdo që ndez zjarrin apo shkakton shpërthimin me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.

2. Kushdo që ndez zjarrin apo shkakton shpërthimin me qëllim të dëmtimit apo asgjësimit të banesës së banuar ose veturës në shfrytëzim nga personi tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.”, thonë paragrafi 1 dhe 2 i Nenit 322 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, në paragrafin 3 dhe 4 thuhet se nëse vepra penale nga paragrafi 1, ose 2 i këtij neni shkakton dëm pasuror në më shumë se 20 mijë euro ose nëse vepra penale i shkakton tjetrit lëndim të rëndë trupor, kryesi dënohet deri në 10 vite burg.

Ndërsa, në fund, nëse vepra penale nga paragrafi 1 ose 2 i këtij neni, rezulton me vdekje, kryesi dënohet me më së paku 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

“3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni shkakton dëm pasuror në shumë prej njëzetmijë (20.000) Euro apo më shumë ose nëse vepra penale i shkakton tjetrit lëndim të rëndë trupor, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

4. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekje, kryesi dënohet me së paku me dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.“, thonë paragrafi 3 dhe 4 i këtij neni në Kodin Penal.

Por, zjarrvënia dënohet edhe sipas nenit 356 te ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ i Kodit Penal të Kosovës. Edhe sipas këtij neni, dënimet për ata që hapin zjarre janë të rënda.

Sipas paragrafit 1 të këtij neni, kushdo që me anë të zjarrit ose mënyrave të tjera të rrezikshme shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në 5 vjet.

Paragrafi 2 i këtij neni thotë se kushdo që në kundërshtim me detyrimet epërcaktuara me ligj nuk i vendos pajisjet për mbrojtjen nga zjarri ose ato pajisje nuk i mirëmban në gjendje të rregullt dhe nuk i vë në përdorim sipas rregullave mbi masat mbrojtëse dhe shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm pasuror, dënohet prej 1 deri në 5 vite burgim.

“1. Kushdo që me anë të zjarrit, vërshimeve, armëve, eksplozivit apo ndonjë mjeti tjetër vdekjeprurës, helmit ose gazit helmues, rrezatimit jonizues, forcës mekanike, me energji elektrike ose me ndonjë lloj energjie tjetër, ose me ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

2. Kushdo që në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara me ligj nuk i vendos pajisjet për mbrojtjen nga zjarri, vërshimi, eksplodimi, helmimi ose për mbrojtjen nga gazrat helmuese, rrezatimi jonizues, forcat mekanike, energjia elektrike ose nga ndonjë lloj energjie tjetër, ose me ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, apo këto pajisje nuk i mirëmban në gjendje të rregullt apo nuk i vë në përdorim ose në përgjithësi nuk vepron sipas rregullave ose rregulloreve teknike mbi masat mbrojtëse dhe me këtë shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.”, thonë paragrafi 1 dhe 2 i Kodit Penal të Kosovës i nenit 356.

Në anën tjetër, nëse vepra penale nga paragrafi 1, ose 2 i këtij neni kryhet në vendin ku janë të pranishëm numër i madh i njerëzve ose ku përdoret eksploziv apo mjet tjetër vdekjeprurës dhe të ngjashme, personi dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

“3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet në vendin ku janë të pranishëm një numër i madh i njerëzve ose ku përdoret një eksploziv ose mjet tjetër vdekjeprurës në, brenda ose kundër një vendi për përdorim publik, një ndërtese shtetërore ose qeveritare, një sistemi të transportit publik ose një infrastrukture ose me qëllim të shkaktimit të vdekjes ose lëndimit të rëndë trupor ose me qëllim që të shkaktojë shkatërrim të gjerë të një vendi, objekti ose sistemi të tillë, kur një shkatërrim i tillë rezulton ose ka të ngjarë të rezultojë në humbje të mëdha ekonomike ose të detyrojë një qeveri ose një organizatë ndërkombëtare për të kryer ose për të mos kryer një vepër, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.“, thotë paragrafi 3 i këtij neni.

Ky nën, përmban edhe 5 paragrafe të tjera të cilat i referohen paragrafeve 1 dhe 2, të cilat shpjegojnë dënimet të cilat një person që vë zjarr mund t’i mbajë. Sipas paragrafit 4, nëse vepra penale nga paragrafi 1 ose 2, rezulton me lëndim të rëndë trupor apo dëm substancial pasuror, kryesi dënohet me burgim prej 1 deri në 10 vjet.

Nëse vepra e njëjtë rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet prej deri në 12 vjet burgim, ndërsa nëse kryhet nga pakujdesia, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

“4. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor apo me dëm substancial pasuror kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.

5. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

6. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet nga pakujdesia, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.” thonë paragrafet 4, 5 dhe 6 të nenit 356 ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’.

Në anën tjetër, sipas paragrafit 7, nëse vepra penale nga paragrafi 6 kryhet në vendin ku janë të pranishëm një numër i madh i njerëzve, kryesi dënohet deri në 5 vjet burgim, ndërsa dënimi deri në 5 vjet bëhet efektiv edhe në rastin kur vepra penale rezulton me lëndim të rëndë trupor ose dëm pasuror.

Paragrafi i fundit thotë se nëse vepra penale nga paragrafi 6 rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

“7. Nëse vepra penale nga paragrafi 6. i këtij neni kryhet në vendin ku janë të pranishëm një numër i madh i njerëzve, kryesi dënohet me burgim deri në pesë (5) vjet.

8. Nëse vepra penale nga paragrafi 6. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor ose dëm substancial pasuror kryesi dënohet me burgim deri në pesë (5) vjet.

9. Nëse vepra penale nga paragrafi 6. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.”, thuhet në paragrafet e fundit të nenit 356.

Shumica e zjarreve, jo vetëm në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut, qoftë me qëllim ose qoftë nga pakujdesia, por sipas Kodit Penal në Kosovë, kjo vepër është e dënueshme në të dyja rastet. /gazetametro.net

Postime të ngjajshme
Lajme

Bie bora e parë në Kosovë

Lajme

Shaqir Totaj i PDK-së tregon pse i hyri garës për kryetar të Prizrenit

Lajme

Shpend Ahmeti dërgon një mesazh gjatë transmetimit direkt për Bedri Hamzën

Lajme

Vitia e Zemaj përplasen për menaxhimin e pandemisë